6 mars 2014 – Njerëzit këshillohen të përgjysmojnë sasinë e sheqerit në dietat e tyre, sipas udhëzimit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Sasia e rekomandueshme e sheqerit të konsumueshëm duhet të qëndrojë nën 10%-shin e kalorisë totale që merret gjatë një dite, teksa objektivi është të zbresë deri në 5%, thotë OBSH.
Kufijtë e sugjeruar aplikohen për të gjitha sheqernat e ushqimeve, ashtu si dhe sheqeri natyral i gjendur te mjalti, shurupet, lëngjet e frutave, si dhe koncentratet e frutave.
Aktivistët britanikë thonë se është një “tragjedi”, që OBSH-së i janë dashur rreth 10 vjet për të menduar ndryshimin e këshillave të saj. Rekomandimi, që sheqernat duhen konsumuar jo më shumë se 10% e kalorive ditore të një njeriu, është miratuar në vitin 2002.
Por sa është kjo sasi e rekomandueshme? Bëhet fjalë për rreth 50 gramë në ditë për një të rritur të peshës mesatare, bën të ditur OBSH. Gjithsesi, disa ekspertë thonë se edhe 10%-shi i tanishëm është tepër i lartë, për shkak të rritjes së niveleve të obezitetit në botë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





