Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se rreth 2 miliardë doza vaksinë kundër COVID-19 janë siguruar për shpërndarje proporcionale në 2021-in në 190 vendet që kanë nënshkruar marrëveshjen për partneritet me OBSH.

Zyrtarë të kompanive prodhuese të vaksinës thanë se parashikojnë të fillojnë dërgimin e vaksinave në tre-mujorin e parë të 2021.

Partneriteti i njohur COVAX tha se kjo sasi përfshin 1.3 miliardë doza për vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Dërgesat e para të vaksinës kanë mbërritur në disa prej vendeve me të ardhurat më të larta ndërsa pjesa tjetër e botës mbetet në pritje të një zgjidhjeje për të siguruar vaksinat.

“Mekanizmi COVAX, i formuar për të mundësuar qasje të barabartë në vaksinat COVID-19 në të gjithë botën, pritet të fillojë dorëzimin në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”, tha Tedros Adamos Ghebreyesus.

“Jemi krenar të njoftojmë se COVAX ka siguruar qasje në pothuajse dy miliardë doza të disa kandidatëve premtues të vaksinave,” tha ai.

Parashikohet që sasia e parë e vaksinave të përdoret për punonjësit e shëndetësisë dhe individët më në rrezik dhe do të dërgohet deri në fund të qershorit. Pas kësaj do të shtohet sasia e vaksinave në dispozicion dhe shpërndarja përmes këtij operacioni me synimin për të vaksinuar 20% të popullatës së vendeve të COVAX-it brenda vitit 2021.