Kanceri vijon të jetë një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin global. Vetëm gjatë vitit 2024, vlerësohet se 9.7 milionë njerëz humbën jetën nga kjo sëmundje në mbarë botën. Mbi 4.8 milionë prej tyre ishin persona nga 30 deri në 69 vjeç, duke treguar se kanceri vazhdon të shkaktojë një numër të lartë vdekjesh të parakohshme.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 1 në 9 burra dhe 1 në 13 gra rrezikojnë të humbin jetën nga kanceri para moshës 75-vjeçare. Në nivel global, ai përbën rreth 16.5% të të gjitha vdekjeve, duke u renditur si shkaku i dytë kryesor i vdekshmërisë pas sëmundjeve kardiovaskulare.

Lloji më vdekjeprurës i kancerit tek burrat mbetet kanceri i mushkërive, i cili shkaktoi rreth 1.3 milionë vdekje gjatë vitit 2024. Më pas renditen kanceri kolorektal dhe kanceri i mëlçisë, me nga rreth 500 mijë viktima secili.

Tek gratë, kanceri i gjirit vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri, me rreth 700 mijë humbje jete, i ndjekur nga kanceri i mushkërive me 600 mijë vdekje dhe kanceri kolorektal me rreth 400 mijë vdekje. Sakaq organizata botërore ka dhënë alarmin se deri në vitin 2050 sëmundjet tumorale pritet të dyfishohen. Ekspertët theksojnë se depistimi i hershëm, vaksinimi kundër disa infeksioneve që lidhen me kancerin dhe reduktimi i faktorëve të rrezikut, si duhani, alkooli dhe obeziteti, mbeten masat më efektive për të ulur vdekshmërinë nga kjo sëmundje.