Zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk pret të shohë vaksinim të përhapur për koronavirusin deri në mes të vitit të ardhshëm.

Aktualisht janë 34 vaksina në mbarë botën që po kryejnë prova njerëzore, sipas OBSH-së, ku 142 kandidatë për vaksina janë në fazën e provës para-klinike, raporton CNN.

Harris po fliste në të njëjtën ditë kur rezultatet e para të rishikuara nga kolegët e provave klinike të fazës një dhe fazës së dytë të vaksinës së Rusisë – vaksina e parë e aprovuar në botë e koronavirusit për përdorim publik – u botuan në revistën prestigjioze mjekësore “The Lancet”, shkruan tg.

Megjithëse Harris nuk i referohej vaksinës ruse, ajo theksoi rëndësinë e kontrolleve të sigurisë dhe efikasitetit duke thënë se provat e fazës së tretë “do të marrin shumë më shumë kohë” në mënyrë që të “shohin sa mbrojtëse” dhe e sigurt është çdo vaksinë.

Kujtojmë se shkencëtarët që nuk janë përfshirë në studimin e vaksinës ruse thanë se derisa rezultatet janë një shenjë pozitive, vetëm provat më të mëdha, të fazës tre mund të konfirmojnë nëse vaksina parandalon vërtet sëmundjen me COVID-19.

26.3 milionë njerëz janë infektuar në gjithë botën ndërsa mbi 869 mijë persona kanë vdekur.