19 gusht 2013-Lidhur me debatin se familja e Zonjës së Parë, Odeta Nishani ka lidhje pronësie me truallin e godinës aktuale të PD, ka ardhur një reagim nga ajo. Me anë të një qëndrimi të postuar në faqen e saj në rrjetin social “Facebook”, zonja Nishani mohon të këtë lidhje, duke hedhur poshtë akuzat e bëra nga selia e PS se dekretimi i SHQUP-it si seli e PD është bërë me qëllimin për të liruar truallin, ku aktualisht ndodhet PD.
“Fatmirësisht, në një shoqëri demokratike askush nuk është i përjashtuar nga debati publik, qoftë familja e Presidentit të Republikës, qoftë presidenti vetë dhe ky është një standart tashmë edhe i demokracisë shqiptare, por kur debati instrumentalizohet për qëllime politike dhe degjeneron në shpifje, fyerje dhe kërcënime, ky standart është cenuar në thelbin e tij dhe duhet të preokupohemi. Prej disa ditësh, eksponentë të Partisë Socialiste, dezinformojnë opinionin publik mbi një marrëdhënie të pavërtetë pronësie timen dhe familjes sime, me ambientet ku është selia aktuale e Partisë Demokratike”, shkruan Odeta Nishani.
“Me përgjegjësi të plotë pohoj para opinionit publik, që asnjë marrëdhënie pronësie e imja dhe familjes sime nuk ekziston me selinë e PD; gjithashtu pohoj se asnjë interes privat nuk e lidh familjen time me atë objekt dhe të ardhmen e tij. Për dy javë, Partia Socialiste bëhet forcë kryesore qeverisëse dhe ka të gjitha mjetet e duhura ligjore dhe administrative për të hetuar me imtësi mbi këtë çështje”.
“Ky nxitim për të më vendosur në qëndër të një alibie dhe lufte politike që nuk më përket, nuk më demoralizon, nuk më frikëson në asnjë çast të jetës dhe punës time të përditshme. Unë besoj tek drejtësia dhe moraliteti i së drejtës, ndaj jam e bindur që shpifësit do të marrin qëndrimin që meritojnë nga opinioni publik shqiptar dhe shumë shpejt kauza e tyre do të vetërrëzohet”, përfundon reagimin ajo.





