11 dhjetor 2013- Bashkëshortja e Presidentit Nishani, Zonja e Parë, Odeta Nishani, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni që mbante në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Në një status të postuar në faqen e saj në Facebook ajo shkruan se është larguar nga kjo ministri pas krijimit të një atmosfere fyese dhe të papranueshme. Ajo shkruan se presioni psikologjik dhe shkrirja e strukturave ekzistuese po përdoren që punonjësit e kësaj ministrie të vetëlargohen nga puna.
Postimi ne Facebook:
E thënë thjeshtë, etika është baza e komunikimit në administratë, në shoqëri, në shkollë e kudo në sferat e jetës. Kur ky parim cënohet, komunikimi gjymtohet ose bëhet i pamundur.
Natyra e administratës publike karakterizohet nga hierarkia, e cila sipas rangut menaxhon të menduarit dhe të vepruarit në shërbim të taksapaguesve dhe të vetë shtetit, por gjithshka duhet të funksionojë në një kuader etik.
Arroganca dhe tensionimi artificial bazohen në kërkesa, të cilat dëshmojnë mungesë vizionesh, mosnjohje të realitetit dhe të punës së bërë deri tani. Presioni psikologjik, trysnia e vazhdueshme, pretendime absurde, shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë po përdoren në menyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna, e shoqëruar kjo edhe me prishje kontratash, duke përfituar nga statusi i ri i ministrisë pas ndarjes së MTKRS-së (Ministrisë Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve).
Duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme këtë atmosferë, me keqardhje largohem nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme nga Ministria.
Gjej rast të falenderoj përzemërsisht të gjithë bashkëpunëtorët e mi në këto vite për profesionalizmin, përkushtimin, ndershmërinë dhe rezultatet e arritura, të cilat sfidojnë çdo nihilist dhe nihilizëm qëllimor.





