24 korrik 2013– Në lidhje me krimet e shumta të ndodhura ditët e fundit mbi gratë, nëpërmjet rrjetit të saj social Facebook, ka reaguar Zonja e Parë, Odeta Nishani. Zonja Nishani është shprehur se: "Jeta e shumë grave e vajzave që po këputet në moshë shumë të re, nuk është më një fenomen sporadik, ajo tani ka filluar të marrë përmasa dhe po trondit nga rrënjët familjet shqiptare"."Por ky shqetësim nuk duhet të ndahet vetëm midis nesh, ky shqetësim duhet të përfshijë gjithë opinionin publik si dhe vetë dhunuesit. Ka ardhur koha që kjo dhunë të etiketohet me emrin e saj të vërtetë “akt kriminal”, të luftohet dhe ti jepet dënimi i merituar si një nga krimet më të shëmtuara të shoqërisë njerëzore", ka deklaruar Odeta Nishani.
Përmes mesazhit të saj, zonja Nishani i bën thirrje grave dhe vajza që jetojnë në makthin e dhunës që të mos ndihen vetëm. Ato duhet ti denoncojnë partnerët abuzues dhe shteti duhet të vërë dorë dhe ti ndëshkojë rëndë këta kriminelë.
"Gruaja është burimi i jetës, gruaja është ajo që zhvillon dhe çon përpara shoqërinë njerëzore. Le të kujdesemi të gjithë së bashku për këto gra që gdhihen dhe ngrysen me frikën e dhunës dhe të vdekjes në shpirt".





