DURRES, 27 prill 2013 – Nisma e ndërmarrë nga zonja e parë e vendit, Odeta Nishani ka gjetur sot përkrahje të gjerë. Pastrimi i mjedisit nga mbetjet urbane ka një rëndësi primare për të garantuar një jetesë sa më të shëndetshme për të gjithë qytetarët. Për këtë arsye, zonja Nishani së bashku me nxënësit e shkollave të mesme dhe Korpusin Shqiptar të Vullnetarëve ishte sot në plazhin e Gjirit të Lalzit për të vënë në jetë aksionin qytetar për pastrimin e mjedisit, në kuadër të nismës “E shtuna e fundit e muajit – Ditë e Pastrimit Mjedisor”.

Në cilësinë e Presidentes së Nderit të Korpusit Shqiptar të Vullnetarëve dhe si nismëtare e kësaj fushate, zonja Nishani tha se kjo ditë nuk duhet të jetë vetëm një ditë pastrimi, por edhe një ditë reflektimi për mbrojtjen e mjedisit. 

“Korpusi i Vullnetarëve ashtu siç kishte njoftuar, sot të shtunën e fundit të muajit prill, ka filluar aksionin këtu në zonën turistike të Gjirit të Lalzit. Paralelisht aksioni ka nisur në disa qytete të Shqipërisë, në Vlorë, në Lezhë, në Korçë dhe në Durrës. Unë dua të falenderoj shumë fëmijët e shkollës së Ishmit, telefoninë celulare Plus, e cila ka sjellë vullnetarët e saj. Dua të falenderoj nxënësit e shkollave të mesme dhe gjithë intelektualët që iu bashkuan thirrjes sonë. Dëshiroj që kjo ditë të jetë jo vetëm një ditë pastrimi, por edhe një ditë ndërgjegjësimi për ruajtjen e ambientit, aq shumë i rëndësishëm për njeriun. Gjithashtu, dua t’i bëj një thirrje të gjithë qytetarëve të Shqipërisë që të fillojnë ndarjen e diferencuar të mbetjeve që në burim. Që do të thotë, që secili në shtëpinë e tij të ketë dy kosha; një për mbetjet e riciklueshme dhe një për ato të pariciklueshmet, në mënyrë që të kemi sa më pak mbetje të shpërndara në territor”,- theksoi Zonja e Parë, Odeta Nishani.

Nismës së zonjës Nishani në Gjirin e Lalzit ju bashkuan sot shumë gjimnazistë të shkollave të mesme “Leonik Tomeo” dhe “Naim Frashëri”.

Korça, Lezha, Vlora, Durrësi dhe bregdeti i Gjirit të Lalzit ishin pesë zonat e para ku u përqendrua aksioni qytetar për pastrimin e mjedisit. 

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/