TIRANE, 12 mars 2013- Misioni i vëzhguesve të ODIHR-it, vijon edhe sot takimet për t’u njohur me përgatitjet për zgjedhjet.
Vëzhguesit janë takuar sot me ministrin e jashtëm Edmond Panariti ndërsa pas takimit janë shprehur se është herët për të folur për situatën parazgjedhore në Shqipëri.
“Ne jemi këtu në përgjigje të kërkeës së qeverisë shqiptare. Ne sapo kemi mbërritur prandaj është tepër herët të flasim për situatën parazgjedhore. Qëllimi ynë është të njihemi me përgatitjet parazgjedhore dhe të dalim me konkluzionet nëse ODIHR-i duhet apo jo të dërgojë një mision vëzhgimi. Pra në këtë kaudër ne jemi duke zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të ndryshëm, të medis, shoqërisë civile, komunitetit ndërkombëtar, partitë politike, KQZ dhe ne do të dalim me një raport që do të publikohet në ëebsajtin e ODIHR-it. Pra në këtë raport do të shkruhet se cilët ishin konstatimet tona dhe përfundimi nëse do të dërgojmë ose jo vëzhgues në Shqipëri” tha përfaqësuesja e ODIHR-it.
Ndërkohë në mesditë misioni i ODIHR-it do të takohet me kryeministrin Sali Berisha.
OSBE sqaroi se zyra e saj ODIHR është ftuar nga Shqipëria që prej dhjetorit të kaluar, sapo presidenti dekretoi zgjedhjet, që të dërgojë një mision vëzhgimi në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Institucionet shqiptare dhe partitë kryesore po u kërkojnë shteteve dhe organizatave të shumta nga Europa dhe SHBA-ja që të sjellin një numër sa më të madh vëzhguesish në këto zgjedhje, si e vetmja mënyrë që të mbushet hendeku i madh i mosbesimit të forcave rivale tek procesi zgjedhor edhe pse ato e hartuan dhe e zbatojnë vetë Kodin Zgjedhor me komisione dypalëshe.
Ndërkohë që kanë mbetur rreth 100 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare tonet e ashpra politike sa vijnë e shtohen.