Në të ardhmen Inteligjenca Artificiale do të ndikojë shumë në tregun e punës thotë një studim i OECD-së. Por skenari i frikshëm nuk ka nisur ende të shfaqet në skenë.

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në botën e punës është i lidhur me pasiguri të mëdha dhe kërkon që politika të marrë masa, thuhet në raportin për perspektivat e punësimit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OBEZH), në anglisht OECD, me qendër në Paris.

Aktualisht përdorimi i IA-së është përhapur ende pak. Prandaj deri në këto momente nuk ka pasur humbje të mëdha të numrit të vendeve të punës. “Fuqia punonjëse e specializuar mirë është ndihmuar deri tani nga IA, dhe nuk është zëvendësuar prej saj,” thuhet në raport. Deri tani ka pasur pak dëshmi për rënien e kërkesave për punonjës për shkak të IA-së”.

Rreziku më i madh për punët e thjeshta

Inteligjenca Artificiale, ku bëjnë pjesë kryesisht sistemet digjitale që mësojnë vetë dhe që janë të lidhura në rrjet, shihet si teknologjia më e rëndësishme e shekullit të 21-të.

Profesionet shumë të kualifikuara janë shumë të prekura nga përparimet që po bën IA, thotë OBEZH. “Megjithatë në këto segmente vazhdojnë të merren gjithnjë e më shumë veta në punë se sa në profesionet me nivel të ulët kualifikimi,” thotë studimi.

Më shumë ndikim në cilësinë se sa në sasinë e punës

Përdorimi i IA-së është ende pak i përhapur, por teknologjia është duke u zhvilluar me hapa gjigande. “Pra ndoshta për pak kohë mund të shfaqen efektet negative në fushën e punësimit,” thotë OBEZH.

Aktualisht IA ka ndikuar më shumë në cilësinë e punës se sa në sasinë e saj: “Sipas të dhënave të të punësuarve dhe punëdhënësve IA mund të reduktojë punët monotone dhe të rrezikshme,” shpjegojnë studiuesit. Megjithatë edhe këtu ekzistojnë rreziqe: Për shkak të automatizimit të detyrave të thjeshta mund të rritet intensiteti i punës dhe presioni për efektivitet.

Rreziqet e automatizimit janë në përgjithësi më të mëdha në punët që kërkojnë më pak kompetenca dhe kryhen kryesisht nga fuqia punëtore me moshë të re. Në Gjermani kjo pjesë punësh me rreziqe të mëdha automatizimi kap 28,7 përqind të të punësuarve. Mesatarja e OBEZH-it është më e ulët, 27 përqind.

OBEZH kërkon përmirësimin e ligjit të punës

Për shkak të këtyre rreziqeve dhe zhvillimit të madh kërkohet ndërhyrje e vendosur e politikës, sidomos sa i përket ligjit për punën.

Debatet janë duke u zhvilluar për shembull për çështjen nëse rregullat ekzistuese për të drejtat e trajtimit të barabartë, mbrojtjes së të dhënave dhe të drejta të tjera të ngjashme duhen përshtatur për shkak të përdorimit të gjerë të IA.

Pjesa më e madhe e vendeve të OBEZH-it kanë përgatitur strategji kombëtare për IA-në, të cilat shpesh vënë në përgjithësi theksin tek rëndësia e kompetencave, por jo gjithnjë propozojnë marrjen e masave konkrete për kualifikimin,” deklaron organizata.

Organizata mendon se bisedimet për vendosjen e tarifave dhe dialogu social janë të rëndësishme për të ndihmuar punonjësit dhe ndërmarrjet në kalimin tek IA. “Dëshmi të reja tregojnë se e marrja e mendimit të punonjësve ka ndikim positiv në kushtet e punës dhe efektivitetin e saj,” thuhet në argumentimin e bërë.

Sipas të dhënave, në Gjermani më shumë se gjysma e punëdhënësve, 57 përqind; që kanë futur në përdorim IA kanë thënë se kur kanë futur në përdorim teknologjitë e reja janë konsultuar me punonjësit ose përfaqësuesit e punëmarrësve. Kjo shifër është më e madhe se vlera mesatare e shtatë vendeve të tjera të OBEZH-it që kanë marrë pjesë në nxjerren e të dhënave, me 47 përqind./DW