Partia Demokratike këmbëngul se nuk mund të zgjidhet prokuror i përgjithshëm, qoftë ky edhe i përkohshëm, pa kaluar më parë testin e Vettingut. Deputeti i Durrësit Oerd Bylykbashi i quan qasjet e mazhorancës paradokse të Edi Ramës me reformën në drejtësi.
“1- Ligji parashikon që Prokurori i Përgjithshëm në detyrë e humbet vendin e punës nëse nuk kalon vettingun. Por ama, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm mund të filloka punë pa bërë vetting (sipas Ramës dhe korit që i vjen pas).
2- Një prokuror i thjeshtë humbet vendin e punës nëse nuk kalon vettingun. Ama, shefi i tij, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm mund të caktohet nga Rama edhe pa vetting”, shkruan Bylykbashi në “Facebook”.
Deputeti demokrat argumenton se një njeri që nuk ka kaluar në filtrat e vettingut, nuk mund të vendoset në majën e piramidës së hetimit me shumicë të thjeshtë.
“3- Prokurori i Përgjithshëm i Përhershëm duhet të zgjidhet pasi kalon vettingun dhe, edhe pse është më i sigurt nga ana e integritetit, duhet zgjedhur me 84 vota (shumicë e cilësuar 3/5) që të mos e kapë Kryeministri.
Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm i cili sipas Ramës zgjidhet pa bërë vetting, pra nuk ka garanci për integritetin e tij, mund t’u zgjidhka me vetëm 36 votat e Kryeministrit (shumicë e thjeshtë). Pra e kap dhe fut në xhep Kryeministri.
Pasi jua lodhën kokën më shumë se dy vjet me këtë vettingun, na doli që vettingu qenka rrjetë për peshq të vegjël. Për të mëdhenjtë nuk bëka! Paradokset e sharlatanizmit!”, përfundon Bylykbashi statusin e tij.
PS ka hapur garën për kryeprokuror dhe kandidatët kanë afat të aplikojnë pranë Komisionit të Ligjeve deri paditen e së martës.





