Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Aida Dërguti ka reaguar përmes një statusi në Facebook, pas publikimit të disa mesazheve ku ajo ofendon ish- kreun e VV, Albin Kurti duke e quajtur atë m*t.
Deputetja e Vetëvendosjes thotë se gjuha fyese ndaj deputetit Albin Kurti ka ardhur pas mosmarrëveshjeve brenda grupit të partisë ku ata të dy bëjnë pjesë.
Statusi i plotë i Aida Dërgutit:
Pas publikimit të një pjese të diskutimit të brendshëm mes Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndjejë nevojën që të kërkoj falje por edhe ta sqaroj atë që është publikuar. I kërkoj falje së pari Albinit, e pastaj secilit anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! opinionit publik për gjuhën e përdorur e mënyrën e të shprehurit në atë diskutim. Këtë nuk e kam bërë deri tash sepse kam dashur ta bëjë së pari para Albinit kur të lirohet nga burgu ku po mbahet padrejtësisht. Siqodoftë tash pasi që kjo u publikua ndihem e detyruar ta bëjë kështu.
Gjuha që kam përdorur në komunikimin e grupit të deputetëve është jashtë kornizave normale të diskutimit. Duke qenë kështu ajo është e papranueshme dhe e pajustifikueshme. Një reagim i tillë imi vjen pas disa problemeve e mospajtimeve të thella politike e organizative që i kam me njerëz të caktuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Ka një kohë që brenda organizatës sonë po synon të instalohet një mënyrë e caktuar të menduarit e vepruarit politike që kushtëzon mosbesim e frikë mes aktivistëve e anëtarëve, ku përmes shpifjeve e insinuatave, të pavërtetave e gjysëm të vërtetave, është synuar degradimi publik e eliminimi politik i njerëzve të caktuar. Kjo e rrezikon Lëvizjen sepse instalon një mendësi politike në të cilën mbytet demokracia e diskutimi i sinqertë parimor e i hapur i qëndrimeve tona politike e vendimeve tona organizative.
Këto probleme e mospajtime kanë më shumë se një vit që po zgjasin. Vazhdimisht kam qenë e përfshirë në tentim që t’i zgjidhim ato. Kjo do të jetë fuqia organizative e VETËVENDOSJE!-s. Mirëpo tentimet tona kanë qenë të minuara e vazhdojnë të minohen nga njerëz të caktuar. Unë edhe sot nuk e di se kujt i konvenon që këto probleme, në vend se t’i zgjidhim brenda t’i publikojnë në media? Nuk e kuptoj kujt i intereson që të kemi proces të linçimit publik ndaj njerëzve të VETËVENDOSJE!-s?
Këto janë probleme që na takon t’i zgjidhim bashkë. Përmes diskutimeve të sinqerta e vetëkritikës. Përmes demokracisë e demokratizimit. Brenda organizatës. VETËVENDOSJE! kështu është. VETËVENDOSJE! vetëm kështu mund të jetë.