Industria përpunuese, sektori i tregtisë dhe turizmit janë ofruesit më të mëdhenj të vendeve të lira të punës, por oferta e tyre i drejtohet kryesisht krahut të lira të punës.
Vitin e kaluar u shpallën 39,815 vende të lira pune, ku rreth 76% e e tyres ishin të reja dhe pjesa tjetër zëvendësime, referuar të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Punësimit.
Të dhënat tregojnë se oferta për punë në 11% të saj u drejtohet menaxherëve dhe nëpunësve, ndërsa në gati 90% u drejtohet punonjësve të krahut dhe me aftësi elementare.
Të papunët që u regjistruan në zyrat e punësimit ishin mbi 78 mijë, mbi dy herë më shumë se vendet e lira të punës në dispozicion.
Në vitin 2022 mbi 40% të vendeve të lira të punës ishin në industrinë përpunuese, të cilët përfaqësohen nga linjat e prodhimit në sektorin fason, industrinë ushqimore dhe atë automotive.
Sektori i tregtisë ishte ofruesi i dytë më i madh i vendeve të punës me 14% i ndjekur nga hotelet dhe restorantet me 10%, ndërtimi me 8%, informacioni dhe komunikimi me 5.8%.
Kategoritë profesionale më të kërkuara nga tregu për vitin 2022 ishin zejtarët dhe zanatçinjtë 28%, profesionet elementare 23%, punonjësit e industrisë dhe punonjësit e shitjeve me 15% dhe shërbimeve me 14%.
Të dhënat tregojnë një mospërputhje ndërmjet ofertës dhe kërkesës për punë.
Në një kohë që bizneset po rendisin mungesën e fuqisë punëtore si pengesën kryesore në aktivitetin tyre numri i të rinjve të regjistruar si të papunë në zyrat e punës ka shënoi rritje në tremujorin e parë të vitit 2023 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave zyrtare.
Burimet administrative tregojnë se në tremujorin e parë u regjistruan si të papunë në zyrat e punës 17,988 persona të moshës 15-29 vjeç, rreth 1500 ose 8.7% më shumë se në janar-mars 2022.
Megjithëse tregu i punës vitet e fundit po ofron fleksibilitet, duke rritur ofertën për punë, ata që po përfitojnë më shumë janë persona në moshë pensioni ose persona në prag të pensioni.
Vendet e reja të punës kërkojnë pak aftësi dhe për rrjedhojë paga afër minimales dhe nuk janë tërheqëse për të rinjtë.
Për shembull, gati 70% e vendeve të reja të punës të ofruara vitet e fundit nga bizneset i përkasin sektorit të industrisë përpunuese kryesisht sektorit fason, sektorë që nuk parapëlqehen më nga moshat e reja.
Në të kundërt, bizneset ku punësohen më shumë të rinjtë janë Call Center, ndërsa moshat mbi 45 vjeç, punësohen kryesisht në profesione elementare, femrat në degët e industrisë përpunuese ndërsa meshkujt në ndërtim dhe miniera./ Monitor