Pas autorizimit të mazhorancës parlamentare për mosarrestimin e Tahirit, por hetimin e tij, 4 oficerë kanë zbarkuar me mjetet e tyre në shtëpinë e ish-ministrit të Brendshëm. Ka qenë ora rreth 14:00 kur ata trokitën në derën e tij, ndërkaq që prezent veç Saimir Tahirit ishte dhe avokati i tij, Maks Haxhia. Kontrolli ka vijuar për rreth 1 orë, ndërsa oficerët kanë heshtur duke mos nxjerrë asnjë detaj nga puna e tyre.

Sipas burimeve, mësohet se ata kanë marrë nga shtëpia e ish-ministrit disa bizhuteri të bashkëshortes së tij, për të verifikuar nëse janë ato që përmenden në dosjen e Habilajve ku dy shokët flasin se i kanë dhuruar byzylyk me vlerë 9 mijë euro, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”.

Në dosjen me 416 faqe të prokurorisë italiane për grupin e Habilajve, ku del disa herë emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri flitet dhe për dhuratat që ata thuhet se i kanë bërë nënës dhe gruas së ministrit Saimir Tahiri.

PËRGJIMI

“Moisiu futet në makinë dhe i tregon Sabit se kishte marrë dy byzylykë, njërin për nusen e Saimirit dhe tjetrin për nënën e tij. Sabi e pyet nëse kishin kushtuar shumë”.

Moisi: Bënë goxha.

Sabi: 1000 euro?

Moisi: Sa?

Sabi: 2000 euro…

Moisiu tregon se të dy bënin 18 mijë euro, por i kishte marrë për gjysmën e lekëve.

Sabi: I pagove 9 mijë euro me lekë në dorë?

Moisi: Po.

Sabi: Nuk kishte ndonjë telekamera?

Moisi: Jo. Vetëm ajo përpara gjykatës.

Moisiu i tregon se njërin nga byzylykët ia ka marrë nënës dhe tjetrin gruas së tij me gurë të çmuar dhe diamante.