Oficeri i Antidrogës Sami Gjyzeli ka dalë nga rreziku për jetën. Aktualisht ai ndodhet në spitalin rajonal të Durrësit nën kujdesin e bluzave të bardha dhe ka komunikuar me kolegët e tij duke sqaruar dhe rrethanat e plagosjes.
Burimet policore bëjnë me dije se kolegu i tyre ka thënë se mbrëmjen e djeshme ai ndërhyri për të shuar një konflikt midis dy palëve që ishin ne konflikt e sipër. Autori i plagosjes, Xhemal Uka, 20 vjeç ishte në dijeni që Gjyzeli ishte punonjës policie dhe ai e ka qëlluar nga mbrapa kurrizit, pa e pasur mendjen, pohojnë burimet policore. Goditja ka ardhur në mënyrë të qëllimshme nga ana e autorit, ndërkohë që punonjësi i policisë ishte duke folur me palën tjetër.
Edhe 20-vjeçari i arrestuar tashmë, ka marrë përsipër autorësinë e ngjarjes, por nuk ka sqaruar motivet e plagosjes. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje në polici, Uka ka pranuar krimin duke thënë: “Unë e plagosa”, por pa shpjeguar përse e qëlloi efektivin.
Në momentin e arrestimit, autorit iu gjetën dhe iu sekuestruan një motorçikletë tip “YAMAHA”, pa targa të cilën e drejtonte pa leje drejtimi; një thikë me hapje dhe një shkop metalik me hapje.
Xhemal Uka është një person i skeduar nga policia si përdorues droge, dhe ndërkohë janë kryer analizat për të provuar nëse 20-vjeçari, gjatë momentit të plagosjes, ka qenë nën ndikimin e alkoolit apo të ndonjë lloj droge.
Tashmë ndaj të riut rëndojnë tri akuza, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.





