Emisioni i tij investigativ Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në radhët e policisë së shtetit. Një shef policie bën pazar për një marrëveshje prej 30 mijë eurosh me një qytetar. Në këmbim të parave, zyrtari i policisë ofron drogë.
Oficeri i Policisë së Shtetit u filmua me zë dhe figurë teksa bën pazare për të trafikuar 200 gramë kokainë.
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” mbërriti një denoncim nga një 40-vjeçar nga Poliçani, i cili kishte probleme pronësie me oficerin e policisë, Julian Balliu, me bordero shef sektori për sigurinë rrugore në Shkodër dhe i komanduar në Tiranë.
Denoncuesi thotë se i ka paguar 30 mijë euro familjes së oficerit për një truall dhe nxjerrjen e lejes për ndërtimin e një karburanti në fshatin Mbrakull. Leja rezultoi se kishte probleme dhe nga viti 2013 deri në 2018, oficeri nuk i kishte kthyer lekët mbrapsht.
Nëpërmjet kamerave të fshehta, Fiks Fare dokumentoi se shefi i policisë i thotë denoncuesit se nuk i ka lekët dhe në këmbim i premtoi 200 gramë kokainë, të cilën do e merrte në Itali.
Reagon Ministria
Ministria e Brendshme ka reaguar pak minuta pas publikimit të pamjeve në “Fiks Fare”, ku dallohet përfshirja e efektivit të policisë Julian Balliu në një trafik droge.
Ministria e Brendshme bën me dije se pas publikimit të pamjeve, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nisi procedimin penal ndaj efektivit Balliu.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Brendshme:
Pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’ në Top Channel, ku dyshohet implikimi i punonjësit te Policisë së Shtetit Julian Balliu në një tentative per trafik e shitje narkotikesh, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nisi procedimin penal ndaj tij.
Gjithashtu, me urdher te Drejtorit te Pergjithshem te Policise se Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një procedim disiplinor për efektivin Balliu, me detyre oficer i Policise se Qarkullimit Rrugor, duke marrë masën e pezullimit nga detyra, deri në përfundim të hetimit të ngjarjes.
Strukturat e SHÇBA jane duke kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore për të zbardhur rrethanat dhe personat e mundshëm të implikuar në këtë ngjarje të rëndë për punën dhe imazhin e Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë çdo rast të mundshëm të implikimit të punonjësve të Policisë në veprimtari të tilla kriminale apo korruptive.
Denoncimi mund të bëhet falas nëpërmjet numrave 08009090 dhe 112 e 129, dhe ne garantojmë si ruajtjen e konfidencialitetit, ashtu edhe reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm për rastet e denoncuara.





