Eldi Ormeni, oficer ekzekutiv dhe oficer ndërlidhje ushtarake në Marinën shqiptare (LNO), krenohet me punën e tij që bashkon forcat ushtarake amerikane dhe shqiptare në mënyrë që ata jo vetëm të punojnë më me efikasitet së bashku, por edhe të angazhohen në marrëdhënie kuptimplota lidhje miqësie dhe bashkëpunimi, gjatë operacioneve të përbashkëta logjistike, që u zhvilluan gjatë stërvitjeve DEFENDER-Europe 2021 këtë vit në Durrës, Shqipëri.
Si oficer ndërlidhjeje, detyra e Ormenit është të sigurojë unitetin mes ushtrisë shumëkombëshe dhe personelit civil të përfshirë në stërvitjet DEFENDER-Europe 21.
Ormeni ka punuar me orar të tejzgjatur për të ndihmuar në lehtësimin e operacioneve logjistike në portin e Durrësit, të cilat lidhen me organizimin, koordinimin, drejtimin dhe përkthimin për personelin shqiptar, atë amerikan dhe britanik, pra mes ekipeve shumëkombëshe, ndërsa ata punojnë së bashku gjatë operacioneve ushtarake që sollën në vendin tonë mijëra pajisje dhe furnizime, por njëkohësisht edhe në stërvitjet DEFENDER-Europe 21, që po zhvillohen në një numër të madh të vendeve evropiane.
Ndërsa pjesa më e madhe e punës së tij lidhet me faktin që operacionet e përbashkëta të zhvillohen normalisht në port dhe në zonën e mbështetjes logjistike (LSA) ku ushtarët dhe marinarët e SH.B.A.-së janë vendosur së bashku me personelin e marinës shqiptare, ai gjithashtu është siguruar që të ketë shumë aktivitete të përbashkëta rekreative, për të bashkuar të dy kombet. Aktivitetet përfshijnë ndeshjet e volejbollit dhe një turne shahu.
Ormeni thotë se ai mësoi rëndësinë e moralit të lartë nga koha e kaluar në bordin e anijes dhe prandaj përpiqet të nxisë një frymë miqësie midis trupave amerikane dhe shqiptare, që jetojnë dhe punojnë së bashku këtu.
“Ne jemi përpjekur të organizojmë lojëra të ndryshme midis forcave shqiptare dhe forcave të armatosura të SHBA, në mënyrë që ata të mund të ndërtojnë marrëdhënie të forta me njëri-tjetrin,” tha ai për gazetaren Elizabeth O. Bryson, në shkrimin për DVIDS.
Ai shtoi se këto marrëdhënie janë të rëndësishme sepse qëllimi kryesor i trajnimeve të vazhdueshme, ku ata po përmirësojnë profesionalizmin, gatishmërinë dhe aftësitë drejtuese, si dhe po zgjerojnë ndërveprimin midis kombeve partnere. Ata gjithashtu po njihen me njëri-tjetrin dhe po ndërtojnë miqësi dhe besim reciprok që do t’i lejojë të punojnë së bashku pa probleme në misionet e ardhshme.
Ormeni gjithashtu ndihmoi në koordinimin e trajnimit të fundit, gjatë të cilit zhytësit e Ushtrisë Amerikane eksploruan bukurinë nënujore të Vlorës, së bashku me zhytësit e Marinës Shqiptare të bazës detare të Pashalimanit.
Shqipëria pret Defender Europe 21 si pjesë e stërvitjes ushtarake ndërkombëtare, ku afërsisht 28 mijë forca shumëkombëshe nga 26 shtete do të kryejnë operacione gati të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në 12 vende.





