TIRANE, 21 shkurt 2013– Kompania kanadeze “Oil & Gas Stream” bëri të ditur se ka nënshkruar një marrëveshje për shitjen e gazit natyror nga vendburimi i saj në Delvinë për nevojat e një TEC-i të ri që do të ndërtohet po në Delvinë.

Marrëveshja parashikon lëvrimin e gazit në sasi të mjaftueshme për prodhim energjie elektrike me 100 për qind gaz në një termocentral me kapacitet 24-megavat në Delvinë, objekt që synon ta zhvillojë dhe ndërtojë kompania “Thermo Energy Albania”, bëhet e ditur në një komunikatë për shtyp të kompanisë “Oil & Gas Stream”.

Lëvrimi i gazit pritet të fillojë në tremujorin e dytë të vitit 2013.

Marrëveshja ka afat njëvjeçar, kohë në të cilën palët do të takohen për të negociuar një marrëveshje afatgjatë të bazuar në çmimet e tregut dhe sasitë përkatëse.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është hap i madh përpara në zhvillimin e vendburimit të Delvinës”, tha në një deklaratë presidenti dhe njëkohësisht drejtori i kompanisë “Stream Oil & Gas”, Sotirios Kapotas.

TEC-i i ardhshëm, që do të prodhojë energji nga gazi, do të jetë i pari në llojin e vet që do të ndërtohet në Shqipëri, e cila aktualisht prodhon rreth 95 për qind të energjisë me HEC-et ekzistuese dhe importe shtesë energjie për të balancuar kërkesën e brendshme dhe prodhimin e energjisë gjatë periudhave me thatësira, tha “Oil & Gas Stream”.

“Oil & Gas Stream” është një kompani prodhimi, zhvillimi dhe kërkimi për naftë dhe gaz. U themelua në Kanada në vitin 2007 dhe aktivitetet e saj kryesore i ka në Shqipëri. Zotëron licencë 25-vjeçare për zhvillimin, prodhimin dhe shitjen e  naftës dhe gazit nga vendburimi i gazit në Delvinë dhe fushat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Gorisht-Kocul, qysh nga viti 2007.

Kompania “Thermo Energy Albania” u krijua në vitin 2011, e cila merret me prodhimin e energjisë elektrike duke përdorur gaz natyror.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/