Kombet e Bashkuara njoftuan sot se rreth 560 tonë ushqime kanë hyrë çdo ditë në Rripin e Gazës që nga armëpushimi I arritur mes Izraelit dhe Hamasit, por kolonat humanitare po hasin vështirësi për të arritur në veriun e uritur të qytetit të Gazës për shkak të rrugëve të shkatërruara nga lufta dhe mbylljes së vazhdueshme të kalimeve kyçe të ndihmave, sipas “Reuters”.

Në një situatë ku në disa zona janë konstatuar kushte urie, shefi i çështjeve humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, tha të mërkurën se mijëra automjete ndihmash duhet të hyjnë çdo javë për të përballuar krizën e shënuar nga kequshqyerja, mungesa e strehimit dhe kolapsi i infrastrukturës.

“Jemi ende poshtë nivelit që na nevojitet, por po përparojmë… Armëpushimi ka hapur një dritare të ngushtë mundësie, dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP) po lëviz shumë shpejt për të rritur ndihmat ushqimore”, tha për gazetarët në Gjenevë zëdhënësja e WFP-së, Abeer Etefa.

Ajo sqaroi se WFP-ja ende nuk ka filluar shpërndarjen  e ndihmave në qytetin e Gazës, për shkak të mbylljes së dy kalimeve kufitare, Zikim dhe Erez, në veri të enklavës, ku gjendja humanitare është më e rëndë.

“Hyrja në qytetin e Gazës dhe në veriun e territorit është jashtëzakonisht e vështirë”, tha Etefa, duke theksuar se lëvizja e kamionëve me miell gruri dhe pako ushqimore të gatshme nga jugu pengohet nga rrugët e shkatërruara ose të bllokuara.

“Është shumë e rëndësishme që të hapen kalimet në veri , aty ka shpërthyer uria. Për ta kthyer situatën, duhet patjetër të hapen këto pika”.

Megjithëse sasi të vogla ndihmash ushqyese kanë mbërritur në veri, zonë ku luftimet mes Izraelit dhe Hamasit kanë qenë më të ashpra, autokolonat me sasi të konsiderueshme ushqimi nuk po arrijnë të mbërrijnë atje.