·Së shpejti hartimi i një memorandumi mirëkuptimi ndërinstitucional mbi funksionimin e njësisë së përbashkët
TIRANË, 22 dhjetor 2014 – Të hënën, më 22 dhjetor 2014, në hotel “Sheraton” të kryeqytetit u bë analiza vjetore e punës së njësisë së përbashkët e kontrollit të kontejnerëve në portin e Durrësit, në kuadër të zbatimit të programit global të kontrollit të kontejnerëve. Ky aktivitet organizohej nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC-së) në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Doganave (OBD). Takimi është organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në këtë takim mori pjesë drejtorja e përgjithshme e doganave Elisë Spiropali, drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi, koordinatorja rezidente e OKB-së në Tiranë Zineb Touimi-Benjelloun, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe përfaqësuesit e njësisë së përbashkët për kontrollin e kontejnerëve. Po veçojmë disa deklarime.
Drejtorja e përgjithshme e doganave Elisë Spiropali:
“Drejtoria e Doganave dhe veçanërisht departamenti operativo-hetimor po punojnë intensivisht për të forcuar strukturat tona inteligjente, për të zgjeruar kontaktet direkte me administratat homologe dhe për t’u paraprirë trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës. Porti i Durrësit, arteria me e rëndësishme e transportit në Shqipëri por edhe arterie kyçe tregtare është sigurisht edhe më vulnerabël, edhe më i atakueshëm nga krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme. Njësia e përbashkët që funksionon në këtë port midis Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Policisë Kufitare dhe Migracionit dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit është një njësi e specializuar dhe e trajnuar nga UNDOC, që operon mbi bazën e të dhënave të strukturave të përpunuara për kontrollin e kontejnerëve.
Oficerët e agjencive tona janë trajnuar në portin e Roterdamit, në Gjeorgji, në Hungari, në Itali, në Durrës dhe në Vlorë. Gjatë viteve 2013 dhe 2014, si rezultat i funksionit të këtyre njësive në disa vende të Amerikës Latine, janë kryer sekuestrime të konsiderueshme të lëndëve narkotike me destinacion portin e Durrësit. Aktualisht edhe vetë bizneset korrekte edhe të ligjshme janë bërë pjesë e shkëmbimit të informacionit dhe kanë dhënë ndihmesë për tentativat për futjen në portin e Durrësit të mallrave të falsifikuar dhe mallrave kontrabandë.”
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi:
“E veçanta e kësaj njësia operacionale është në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese, siç është rasti i rritjes së bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Specialistët e atashuar në këtë njësi janë të trajnuar dhe të specializuar për kontrollin e kontejnerëve. Vetëm në vitin 2014 është trefishuar kontrolli i kontejnerëve. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle më të shumta në portin më të madh të vendit, atë të Durrësit, n bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe doganën e portit Durrës.
Kjo analizë njëvjeçare tregon seriozitetin me të cilën është kryer puna e kësaj njësie, por njëkohësisht vullneti për të vazhduar një bashkëpunim akoma dhe më të frytshëm. Shpreh falënderimet e mia për kontributin e donatorëve ndërkombëtarë në këtë projekt për të luftuar trafiqet e paligjshme dhe kontrabandën.”
Zineb Touimi Benjelloun, koordinatore rezidente e OKB-së në Tiranë, përfaqësuese e donatorëve të projektit për Njësinë e Përbashkët për Kontrollin e Kontejnerëve në portin e Durrësit:
“Njësia Operacionale e krijuar mes Policisë dhe Doganës ka pasur një rritje efikasiteti gjatë këtij viti në luftën kundër trafikut të drogës dhe mallrave kontrabandë. Ata kanë qenë në ballë të luftës ndaj të gjitha trafiqeve. Ky program aktualisht është implementuar në 20 porte në të gjithë botën, dhe porti i Durrësit është një nga ato. UNDOC ka për qëllim të rrisë kapacitetet njerëzore në mbështetje të luftës ndaj paligjshmërisë. Ne duam të sigurojmë informacionin e duhur për të lehtësuar kapjen e objektivit tonë. Eventi i ditës së sotme është një tjetër gur në këtë marrëdhënie partneriteti mes nesh, doganës dhe policisë.
Në mbështetje të këtij projekti ne kemi parasysh edhe agjendën evropiane të Shqipërisë, dhe kjo njësi operacionale e përbashkët është një nga pikat për t’u përmbushur në mënyrë që të rrisim luftën ndaj krimit. Ndaj ne jemi në mbështetje për të ndihmuar Shqipërinë nëpërmjet këtyre financimeve në mënyrë që institucionet të zhvillojnë kapacitetet e tyre. Ne jemi këtu për të punuar me ju dhe për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt”.
Në fund të analizës së zhvilluar u ra dakord për hartimin e një memorandumi mirëkuptimi ndërinstitucional mbi funksionimin e njësisë së përbashkët, e cila do të nënshkruhet nga dy drejtorët e përgjithshëm të Doganave dhe Policisë së Shtetit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





