Më shumë fëmijë u vranë për katër muaj në luftën në Gazë, sesa për katër vjet në të gjitha konfliktet ekzistuese në botë, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA).
Komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, ka thënë se numri i fëmijëve të vrarë është “marrëzi”, në një postim në X, raportoi CNN.
Ai ka shpërndarë një grafikë me të dhëna të fëmijëve të vrarë në konfliktet përreth botës, ndërmjet viteve 2019 dhe 2022, me numrin e fëmijëve të vrarë ndërmjet tetorit të vitit 2023 dhe shkurtit të vitit 2024 në Gazë, duke cituar OKB-në dhe Ministrisë e Shëndetësisë në Gazë.
Sipas të dhënave, një total prej 12,193 fëmijë janë vrarë ndërmjet viteve 2019 dhe 2022 në të gjithë botën, dhe një total prej 12,300 fëmijëve janë vrarë në Gazë ndërmjet tetorit të vitit 2023 dhe shkurtit të vitit 2024.
Ndërkaq, sipas të dhënave shëndetësore palestinezë, numri i fëmijëve të vrarë në Gazë që nga 7 tetori është më i madh se ai që ka paraqitur Lazzarini.
Ministria e Shëndetësisë në Ramallah, në një raport të mërkurën ka thënë se numri i fëmijëve të vrarë ka arritur në 13,450. Ministria ka thënë po ashtu se 72% e totalit prej 31,272 të vrarëve në Gazë, janë gra dhe fëmijë.