Tiranë, 12 korrik 2014 – Komiteti i të drejtave të njeriut i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i tërheq vemendjen qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Çwshtjeve Sociale për fatin e katër familjeve rome në Elbasan. Këto katër familje po dëbohen nga barakat e tyre pa shpwrblim dhe me dhunë, sepse në truallin e barakave të tyre do të ndërtohet stadiumi i ri i Elbasanit.

Kombet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare ta pezullojë nxjerrjen e romëve me forcë nga barakat, derisa të shprehet gjykata për fatin e tyre, dhe sidomos për dëmshpërblimin, që u takon për barakat, që do u shkatërrohen.

Theo Alexandris, një avokat i specializuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që punon me OJF-në  “Respublika” në Tiranë po merret posaçërisht me mbrojtjen e të drejtave të këtyre katër familjeve rome të përbëra nga 20 persona. Gentian Serjani, një aktivist i OJF-së rome “Roma Youth Movement Elbasan” (Lëvizja Rinore Rome Elbasan) ka arritur të mbledhë 6 000 firma për një peticion në mbrojtje të këtyre 4 familjeve dhe të dhjetra familjeve të tjera rome, që rrezikojnë t’u prishen barakat pa shpërblim, sepse romët diskriminohen nga ALUIZNI, përsa i përket legalizimit të banesave të tyre.

Të bije në sy indiferenca e ministrisë së linjës të qeverisë shqiptare për këtë problem, për më tepër që vetë Ministri Veliaj disa herë publikisht ka dalë në mbrojtje të romëve, madje edhe duke e çuar me makinën e vet zyrtare në spital një fëmijë rom të plagosur.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/