Lajmi bën xhiron botërore, deri dhe në Holandën e famshme të serrave, në portalin “groentennieuws.nl/” (shihni poshtë faksimilen e portalit me shkrimin). Por në Shqipëri mediat nuk "merren" me bujqësi!
U detyrova ta përkthej nga origjinali anglisht, botuar në portalin e OKB-së “unido.org”.
Shkrimi: “Bioenergjia, e dobishme për biznesin”
• "Ne presim që përdorimi i biomasës në industri jo vetëm do të zvogëlojë emetimet e gazrave serë të vendit duke zëvendësuar karburantet fosile, por edhe do të rrisë konkurrencën e vendit dhe të krijojë vende pune", tha Mark Draeck, zyrtar për Zhvillim Industrial në UNIDO [The United Nations Industrial Organizata e Zhvillimit Industrial e OKB-së- agjenci e specializuar, që promovon zhvillimin industrial për uljen e varfërisë, globalizimin gjithëpërfshirës dhe qëndrueshmërinë e mjedisit].
Nga Danilo DE OLIVEIRA PEREIRA, portali i OKB-së “unido.org”.
Kleant Nezha buzëqesh teksa ecën mes bimëve të harlisura të domates që rriten në njërën nga serat e tij në Lushnjë, qytet në Shqipërinë perëndimore-qendrore. Pas zëvendësimit të dy kaldajave të vjetëruara me naftë me ato moderne që funksionojnë me biomasë, bimët po rriten shumë më shpejt – dhe po kështu po kursen energji elektrike.
Ndërsa kaldaja e vjetër punonte me naftë – karburant fosil – kaldaja e re me biomasë ngroh serrat duke djegur mbetjet e ngurta të thara të ullinjve që kanë mbetur pas shtypjes për vaj. Përftimi i energjisë nga materiale organike – bioenergjia sikurse njihet – është burim i rëndësishëm i rinovueshëm i energjisë në vendet skandinave si Suedia, ku ajo përfaqëson tashmë 32 për qind të të gjithë prodhimit të energjisë.
Nezha është i lumtur nga përfitimet që po i sjell karburanti i ri në biznes. Bërsia e ullirit është shumë më e lirë se nafta – u mblodh tek prodhuesit e afërt të vajit të ullirit me çmimin 100 euro për ton. Atij i nevojiten 20 tonë në vit për të ngrohur serën. Çmimi është gjithashtu më i qëndrueshëm se çmimi i naftës dhe kjo i mundëson Nezhës të planifikojë më herët. Me karburant më të lirë dhe më të besueshëm për të ngrohur serën, bimët tani rriten dy herë më shpejt se më parë dhe rendimenti i tyre është rritur me 40 për qind.
Pjesa më e madhe e prodhimit të serrës eksportohet në Gjermani me kamion, pa qenë nevoja të futen në ngrirje. Për shkak se arrijnë të freskëta dhe markohen si prodhim organik, ai mund të shesë domatet me një çmim më të lartë.
Si bonus shtesë, falë kaldajave me biomasë, Nezha tani do të ketë tri korrje në vit në vend të vetëm dy. Planet e tij afatgjata përfshijnë instalimin e më shumë kaldajave me biomasë në shtatë serat e tjera të tij, të cilat ende nuk kanë sistem ngrohjeje.
Kaldajat e reja nuk janë lira, me një kosto totale prej rreth 75 000 euro. Nezha mundi t'i përdorte vetëm në saj të mbështetjes së ofruar nga një projekt i zbatuar nga Organizata e OKB-së për Zhvillimin Industrial (UNIDO) në partneritet me “Global Environment Facility”. Investimi u financua me grant nga UNIDO-ja dhe kredi nga ProCredit, bankë që bashkëpunon me projektin.
Përvetësimi i teknologjive të bioenergjisë si drejtim kryesor
Projekti, i cili mbështeti Nezhën, po punon për të popullarizuar prodhimin e agro-industrive bioenergjike në Shqipëri. Ai ofron ndihmë financiare dhe teknike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të rritur përdorimin e teknologjisë.
Sipas Nezhës, shumica e fermerëve fqinj tashmë kanë vizituar kaldajat dhe janë të interesuar të investojnë në ato të tyre.
"Ne presim që përdorimi i biomasës në industri jo vetëm do të zvogëlojë emetimet e gazrave serë të vendit duke zëvendësuar karburantet fosile, por edhe do të rrisë konkurrencën e vendit dhe të krijojë vende pune", tha Mark Draeck, zyrtar për Zhvillim Industrial në UNIDO [The United Nations Industrial Organizata e Zhvillimit Industrial e OKB-së- agjenci e specializuar, që promovon zhvillimin industrial për uljen e varfërisë, globalizimin gjithëpërfshirës dhe qëndrueshmërinë e mjedisit].
Aktualisht, 10 ndërmarrje kanë përfunduar procesin e aplikimit për mbështetjen e UNIDO-s. Projekti shpreson të përfshijë të paktën 15 ndërmarrje si projekte pilot që do të shërbejnë si shembuj për të inkurajuar institucionet e tjera financiare, bankat në Shqipëri dhe njësitë në qeverisjes vendore të mbështesin nisma të ngjashme në pjesën tjetër të Shqipërisë.
Th.M.





