OKB ka publikuar shifrat teksa thekson se të paktën 606 persona janë raportuar të vdekur ose të zhdukur në Mesdhe që nga fillimi i vitit 2026 teksa kanë tentuar të udhëtojnë drejt Europës. OKB i ka cilësuar këto shifra si fillimi më vdekjeprurës i një viti në më shumë se një dekadë.
Shifra përfshin të paktën 30 persona që dyshohet se kanë vdekur ose janë të zhdukur pasi varka e tyre u përmbys për shkak të motit të keq pranë brigjeve të Greqisë të shtunën.
Autoritetet shpëtuan 20 persona, përfshirë katër të mitur dhe gjetën trupat e tre burrave dhe një gruaje. Anija ishte nisur nga Tobruku i Libisë më 19 shkurt dhe ishte përmbysur rreth 37 km në jug të Kali Limenes, Kretë.
“Ky shënon fillimin më vdekjeprurës të një viti në Mesdhe që kur IOM filloi të regjistronte të dhëna të tilla në vitin 2014”, tha agjencia, duke shtuar se po bënte thirrje për rritje të përpjekjeve të kërkim-shpëtimit në Mesdheun qendror për të shpëtuar jetë dhe për të siguruar zbarkim të sigurt.
Në Itali , trupat e 15 personave janë nxjerrë në plazhet e Kalabrisë dhe Siçilisë gjatë javës së kaluar. Studentët gjetën trupin e një burri të veshur me një jelek shpëtimi portokalli pranë Tropeas, një qytet bregdetar i njohur kalabrez.
Trupi i një gruaje u gjet në të njëjtën zonë. Trupa janë zbuluar edhe në ishullin e vogël sicilian të Pantellarias.
Qeveria e Giorgia Melonit ka përfshirë masa të ashpra kundër anijeve të shpëtimit të organizatave bamirëse, dënime më të ashpra me burg për kontrabandistët e qenieve njerëzore dhe skema që synojnë riatdhesimin e shpejtë të njerëzve.
Projektligji erdhi pasi Parlamenti Europian miratoi ndryshimet në rregullat e azilit të BE-së në përgjigje të presionit nga shtetet anëtare, përfshirë Italinë, për një qasje më të ashpër. Meloni tha se qeveria e saj do të përdorë çdo mjet në dispozicion për të “garantuar sigurinë e kufijve tanë”.
Sipas shifrave nga ministria e brendshme e Italisë, 66,296 persona mbërritën me anije në bregdetin italian në vitin 2025, pak më pak se një vit më parë dhe rreth gjysma e shifrës për vitin 2023, kur Italia miratoi dhe përforcoi marrëveshjet me Libinë dhe Tunizinë për të ndaluar numrin e mbërritjeve.





