Të paktën një milion gra dhe vajza kanë humbur aksesin në ndihmë humanitare dhe shërbime të tjera jetike si pasojë e reduktimit të fondeve ndërkombëtare gjatë 18 muajve të fundit, bëri të ditur sot agjencia e Kombeve të Bashkuara për Gratë (UN Women).

Sipas të dhënave të publikuara nga organizata, 84 për qind e organizatave të grave të përfshira në hulumtim raportuan një rritje të ndjeshme të nevojave që nga janari i vitit 2025. Kjo periudhë përkon me fillimin e shkurtimeve të konsiderueshme të ndihmës ndërkombëtare nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, raportoi Associated Press.

Drejtoresha e Programeve Humanitare në UN Women, Sophia Calthorpe, paralajmëroi se reduktimi i financimeve po prek drejtpërdrejt gratë dhe vajzat më të cenueshme.

“Çdo dollar i tërhequr nga organizatat e grave është një dollar i mohuar viktimave të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, nënave të zhvendosura, vajzave që braktisin shkollën dhe komuniteteve që përpiqen të mbijetojnë”, deklaroi Calthorpe.

Agjencia e OKB-së u bëri thirrje donatorëve ndërkombëtarë të rrisin mbështetjen financiare për organizatat që ofrojnë ndihmë humanitare, duke theksuar se mungesa e fondeve rrezikon të përkeqësojë edhe më tej situatën e miliona grave dhe vajzave në zonat e prekura nga krizat.