OKB: "Daghammarskjold Plaza" Nju Jork: Shqiptarët e Amerikës kanë zgjedhur sheshin kryesorë përpara Selisë së OKB-së në Nju Jork, për të protestuar në lidhje me të drejtat e mohuara në Luginën e Preshevës dhe për t’i kërkuar qeverisë së Beogradit që t’i jap fund asaj që protestuesit e quajtën shtypje dhe diskriminim të shqiptarëve në Serbinë jugore.
Protestuesit bënë thirrje që shqiptarëve të Preshevës t’u garantohen të drejta të njëjta me ato që gëzon pakica serbe në veri të Kosovës dhe që përmendorja e përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së, e hequr më 20 janar 2013 në qendër të Preshevës, të kthehet aty ku ishte vendosur nga popullata shqiptare.

Nismëtare e protestës së sotme ka qenë një grup shqiptarësh të Luginës së Preshevës, duke marrë edhe mbështetjen e shqiptarëve të SHBA-së, së bashku me shoqata të tjera të komunitetit shqiptar në zonën e ashtuquajtur e "Tri-Shteteve", thuhej në një dekleratë të udhëheqësve të kësaj proteste.

Protesta është zhvilluar ditën e sotme( e Hënë) në orën 11:00 deri në orën 14:00, para selisë së OKB-së në Nju Jork, e cila gjendet në Dag-Hammarskjold-Plaza në Manhattan, NY. Protesta e sotme ishte gjithëpopullore shqiptare në SHBA dhe dedikuar për të drejtat e mohuara të bashkatdhetarëve tanë në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Protesta erdhi si një reagim i ashpër ndaj aktit të fundit shovinist të autoriteteve të Beogradit, me rastin e heqjes me përdorimin deri të forcës së xhandarmërisë të pllakës përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e qytetit shqiptar të Preshevës.

Shqiptarët e Amerikës, zgjodhën këtë orë dhe këtë vend – mbasi ajo është dhe koha – kur para këtij sheshi kalojnë ditën e hënë edhe Ambasadorët e të gjitha vendeve anëtare të OKB-ës, mes tyre dhe ish Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i cili për këtë vit është zgjedhur presidenti i ri i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe diplomatët serb në Nju Jork.
Protesta, sipas organizatori ishte e konceptuar si një marsh para selisë së OKB-së, në sheshin kryesorë, të njohur "Daghammarskjold Plaza", e Amerikës në Nju Jork, aty ku shqiptarët kanë protestuar me vitet të tëra duke dhënë një kontribut historik në çështjen shqiptare.

Në këtë protestë morën pjesë qindra vetë, shumica ishin studentë dhe studente të shkollave amerikane, veprimtarë të dalluar të komunitetit dhe lider të disa organizatave dhe shoqatave nga Shqipëria , Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci, Medvegja dhe Çamëria.

Organizatorët me këtë rast lëshuan një Memorandum special lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe represionin serb në këtë trevë, i cili sipas organizatorit iu drejtua Kombeve të Bashkuara dhe Administratës amerikane, Senatiti dhe Kongresit në Uashington, organizatave ndërkombëtare prestigjioze për Liritë e të Drejtat e Njeriut, në Nju Jork.
Në një Memorandum ndër të tjera thuhej se shqiptaro-amerikanët janë thellësisht të shqetësuar për keqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës.

Memorandumi i referohet heqjes nga qendra e Preshevës të një përmendoreje të ngritur në përkujtim të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Më tej në të, thuhet se qeveria e Serbisë përdori forcën duke e hequr përmendoren, në vend që të ndërtonte ura me komunitetin shqiptar të Luginës.