Agjencia e Motit e OKB-së ka raportuar se viti 2023 ishte viti më i thatë në më shumë se tri dekada për lumenjtë e botës, pasi viti me temperatura rekorde shkaktoi një tharje të rrjedhave të ujit dhe kontribuoi në thatësira të zgjatura në disa vende.
Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) thotë gjithashtu se akullnajat që ushqejnë lumenjtë në shumë vende pësuan humbjen më të madhe të masës në pesë dekadat e fundit, duke paralajmëruar se shkrirja e akullit mund të kërcënojë sigurinë afatgjatë të ujit për miliona njerëz në mbarë botën, raporton AP.
“Ne marrim sinjale shqetësimi në formën e reshjeve gjithnjë e më ekstreme, përmbytjeve dhe thatësirave, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha në jetë, ekosisteme dhe ekonomi”, ka thënë sekretarja e Përgjithshme e WMO-së, Celeste Saulo, duke publikuar raportin të hënën.
Ajo ka thënë se rritja e temperaturave pjesërisht kishte bërë që cikli hidrologjik të bëhet “më i çrregullt dhe i paparashikueshëm” në mënyra që mund të prodhojnë “ose shumë ose pak ujë” si nga thatësirat ashtu edhe nga përmbytjet.
Agjencia e motit, duke cituar shifrat e UN Water, thotë se rreth 3.6 miliardë njerëz përballen me qasje të pamjaftueshëm në ujë për të paktën një muaj në vit, dhe kjo shifër pritet të rritet në 5 miliardë deri në vitin 2050.
Bota u përball me vitin më të nxehtë të regjistruar në 2023, dhe vera e këtij viti ishte gjithashtu vera më e nxehtë ndonjëherë, duke ngritur shenja paralajmëruese për një rekord të ri vjetor të mundshëm në 2024.
“Në 33 vjetët e fundit të të dhënave, ne nuk kishim kurrë një zonë kaq të madhe në mbarë botën që ishte në kushte kaq të thata”, ka thënë Stefan Uhlenbrook, drejtor i hidrologjisë, ujit dhe kriosferës në WMO.