TIRANE, 19 shkurt 2013– Deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa komentoi memon e SHBA-së për nacionalizimin, që u publikua pak ditë më parë në media. Në Komisionin e Jashtëm parlamentar, deputeti Oketa theksoi se përdorimi i çështjes kombëtare për vota dëmton Shqipërinë dhe shqiptarët. Sipas Oketës, memoja e SHBA-së duhet të shqetësojë politikën dhe kryeministrin Berisha, që sipas tij po përdor nacionalizmin për qëllime politike. 

Pak ditë më parë në media u publikua një memo që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i drejtonin Tiranë zyrtare. Përmes kësaj memoje SHBA paralajmërojnë nevojën e të bërit kujdes me deklaratat nacionaliste. Publikohet e pacensuruar përmbajtja e plotë të MEMO-s. 
 

"Ne jemi tejet të zhgënjyer dhe të shqetësuar se liderët shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon. Deklaratat e fundit publike të bëra nga politikanët shqiptarë për çështjen e monumentit të Preshevës e kanë kapërcyer vijën e diskutimeve të përgjegjshme, në atë të retorikës kundërproduktive dhe potencialisht të rrezikshme. Këto deklarata jo vetëm nxisin sjellje gjaknxehta dhe tërheqin vëmendjen nga përparësitë e vërteta të rajonit por gjithashtu potencialisht nxisin dhunën, gërryejnë paqen dhe stabilitetin, dhe ndikojnë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara duke përdorur mesazhe negative etnike për qëllime politike, është destabilizuese dhe kundërprodhuese. Disa fakte mbi monumentin e Preshevës: Si fillim, ai është thjesht një monument. Një pllakë me disa emra mbi të. Nuk është një çështje territoresh, shkollash, zhvillimi ekonomik apo anëtarësimi në BE. Ai ishte një monument i ndërtuar ilegalisht dhe që kishte në një farë mënyre për qellim të provokonte qeverinë e Serbisë. E dyta e punës, qeveria e Serbisë tentoi të negocionte me politikanët vendas, por ata refuzuan të bëheshin pjesë e një dialogu real mbi këtë çështje. Është e vërtetë që qeveria e Serbisë mund të ishte treguar më e duruar edhe të vazhdonte tentativat për dialog, por përgjigja nga disa persona në Kosovë- (dëmtimi i varrezave) dhe përgjigja nga qeveria juaj vetëm sa i hodhën benzinë zjarrit dhe dëmtuan imazhin tuaj. Misioni i OSBE në Serbi, ambasada jonë në Beograd dhe një sërë misionesh diplomatike të tjera janë duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje dhe do vazhdojnë me tentativat e tyre. Ndërkohë, deklaratat tuaja vetëm sa e vështirësojnë punën tonë dhe nuk janë aspak të mirëpritura. 

I gjithë synimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës është që të ndalojnë Serbinë të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Nga ana tjetër, ju ndërhyni pa pikë mëdyshje në çështjet e brendshme të Serbisë. Përdorimi i mesazheve etnike negative për qëllime politike duhet të ndalojë tani! Zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë justifikim për retorikë të papërgjegjshme. Ne i bëjmë thirrje politikanëve shqiptarë dhe liderëve politikë të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të mos futen në punët e brendshme të Serbisë. Përkundrazi, fokusohuni në përparësitë e popullit shqiptar në Shqipëri: zgjedhje të lira dhe të ndershme, integrimi me Bashkimin Europian, mundësi të përmirësuara ekonomike etj. Shqipëria mund dhe duhet të jetë një fqinj i përgjegjshëm dhe bashkëpunues por politikanët e saj duhet fillimisht t’i rrinë larg tentacionit për të luajtur kartën nacionaliste. Nuk po bëni një përshtypje të mirë, ndërsa përgatitemi për ardhjen në krye të departamentit të Sekretarit të ri të Shtetit. Mos na bëni t’ju dënojmë publikisht!"- përfundon memo e SHBA-së.