DURRËS, 29 maj 2013– Zyrtari i lartë amerikan e ka mbyllur ditën e tij në Durrës me një drekë pune me Gazmend Oketën, deputet dhe një prej themeluesve të Frymës së Re Demokratike. Ndryshe nga deklarimi diplomatik i Xhonatan Mur për mediat në Durrës, në këtë takim mësohet se ai ka shprehur pakënaqësinë amerikane ndaj situatës në vend, veçanërisht mungesës së konsensusit politik.
Sekretari i përgjithshëm i FRD-së Gazmend Oketa pati të mërkurën një drekë pune me z. Mur (Jonathan Moore), drejtor për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit.Takimi u zhvillua në një prej restoranteve të njohura të qytetit tonë, në restorant “Piazza”.
Në qendër të vëmendjes, raportohet nga dega e FRD-së në Durrës, ka qenë situata parazgjedhore në Shqipëri, problematika që ajo mbart dhe sidomos çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që Oketa dhe Mur kanë folur edhe rreth 3 ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend.
Gjatë bashkëbisedimit dy orësh sekretari i përgjithshëm, njëkohësisht edhe deputet i FRD-së Gazmend Oketa ka shprehur shqetësimin edhe për nivelin alarmant të korrupsionit, pandëshkueshmërinë e tij, si dhe mungesën e vullnetit të shumicës për të luftuar fenomenin negative. Mur, nga ana e tij ka shprehur zhgënjim për mungesën e konsensusit politik dhe ecurisë së reformave në vend.
/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





