DURRES, 23 maj 2013- Një nga të paktët emra të papërfolur të politikës shqiptare, Gazmend Oketa, deputet i dorëhequr i Partisë Demokratike dhe themelues i partisë së qëndrës së djathtë Fryma e Re Demokratike, së bashku me ish-presidentin Bamir Topi, kryeson listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Durrësit. Ai mban mandatin e legjislatorit nën siglën politike të FRD-së dhe vjen para elektoratit durrsak për të kërkuar rishtas të drejtën e përfaqësimit të tyre në Kuvendin që do të dalë nga votimet e 23 qershorit. Baba i tre fëmijëve dhe me një karrierë të suksesshme, por të qetë profesionale, ai vazhdon të luftojë politikisht dhe të besojë në idealet e Lëvizjes Studentore të 1990-s, antar i së cilës ishte. Përfaqësues i denjë i idealeve demokratike, i së djathtës dhe qytetarisë, etikës në komunikimin politik, ai fton qytetarët që së pari të ushtrojnë të drejtën e votës në çdo rrethanë dhe në emër të idealeve dhe një Shqipërie më të mirë kërkon votëbesimin për veten dhe kandidatët e tjerë të formacionit politik që përfaqëson. 

Në çeljen e fushatës elektorale të FRD-së në Durrës, ai u ndal te nevojat e vendit për reforma integruese, shance të barabarta për qytetarët, respektim të të drejtave themelore të njeriut, te nevoja për të pasur një shtet të së drejtës dhe raporti i zhdrejtë i këtyre nevojave me politikën e sotme dhe qasjet abuzive të saj.

“Sot kur politika shqiptare ka humbur shumë në besueshmëri, ka humbur shumë në integritetin dhe raportet e sjelljes morale me qytetarët, sot kur politika shqiptare ndodhet ndoshta në pikën më të lartë të degradimit të saj, unë dhe kolegët e mi të Frymës së Re Demokratike, jemi përpara jush në një përpjekje qytetare, për të dëshmuar se ky vend ka edhe vlera, ka edhe qytetari, ka edhe modele të ndryshme nga ato që ofrojnë partitë e vjetra, për të dëshmuar dhe për të mos lejuar që gjithçka të shitet dhe të tregtohet në pazaret e politikës, për të dëshmuar se ky vend ka vullnet dhe energji për ta ndryshuar gjendjen dhe sistemin.

Ne vimë sot me projektin tonë të përbashkët politik, projekt në të cilin bëjnë pjesë të gjithë ata që besojnë se Shqipëria ka nevojë për një politikë të re, të gjithë ata që besojnë se Shqipëria ka nevojë për normalitet demokratik.

FRD  nuk vjen si parti e një pakice elitare, por si një familje e madhe politike e banorëve të vjetër e të rinj të Durrësit, e biznesit dhe studentëve, e grave dhe vajzave." 

Sipas Oketës, Durrësi nuk duhet të trajtohet si burim përfitimi në dogana, por të trajtohet si qyteti me portin më të madh kombëtar e me një pasuri të çmuar natyrore si bregdeti e pasuri mijëra-vjeçare arkeologjike. As Kruja të mos shihet si gurore masive, por si kryeqyteti historik dhe muzeal i Shqipërisë: komunat me fusha e kodra të bukura të Durrësit të mos shihen si hapësira për bizneset private afër qeverisë, por si burime zhvillimi për qytetarët e tyre; as Shijaku nuk duhet të identifikohet me emra të veçantë biznesi politik, po të bëhet urë lidhëse midis dy metropoleve kryesore të Shqipërisë, Tiranës dhe Durrësit. Në këtë fushatë FRD dhe ai vijnë me një kontratë politike besimi me qytetarët:

"FRD vjen para jush si e vetmja forcë e cila ka publikuar një program politik të detajuar, dhe ne këtu në Durrës kemi edhe programin tonë lokal, një kontratë politike me qytetarin. Palët e tjera nuk kanë as program dhe as kontratë besimi. Ata vijnë tek qytetarët me të vetmin mjet që u ka mbetur: presionin e pushtetit ose me ofertën parave të pushtetit për blerjen së votës e për të rivjedhur të nesërmen akoma më shumë.

Ne duam ti japim fund praktikës abuzive të lidhjes me çdo kusht të ecurisë politike të një force apo individi me pushtetin. Ne kemi një mision qytetar. Ne duam të ringrejmë një të djathtë të re, një të djathtë shumë më evropiane, shumë më demokratike, më cilësore, më përfaqësuese, më të aftë dhe më konkurruese. Ne duam tu japim shpresë të gjithë atyre që janë zhgënjyer nga politika, nga tranzicioni, e bashkë me ta, të bëhemi garant të një politike të re, politike moderatore që zgjidh dhe nuk krijon konflikte, që i mbron dhe që nuk i braktis qytetarët, që lufton dhe që nuk bashkjeton me korrupsionin, që i trajton njësoj dhe nuk i diskriminon qytetarët për shkak të bindjeve politike, që e ndan dhe nuk e njëson administratën me partinë, që forcon shtetin dhe jo pushtetin."

Gjithashtu, përmes simbolikës së zëvendësimit të poltronave bosh të kandidatëve që ngjiteshin në skenë me të rinj durrsakë, Oketa u shpreh se karriget e pushtetit nuk janë pronë individësh, po të qytetarëve shqiptarë që duhet të zgjedhin alternativën e Shqipërisë europiane, alternativën e shtetit të së drejtës që ndahet përfundimisht nga krijimi i diktaturave.

“E zgjodhëm këtë simbolikë për t’i thënë të rinjve e të rejave se ne do t’i japim atyre të gjitha hapësirat e nevojshme pa kërkuar të bëhen kopje tonat, se ne do të garantojmë një qarkullim normal elitash, së pari brenda FRD e më pas logjikshëm edhe jashtë saj.

Apeli im është: merrni pjesë në votime, me çdo kusht, pavarësisht çdo rrethane. Sa më shumë qytetarë në vendimmarrje aq më e fortë demokracia dhe aq më pak hapësirë për klanet militante që mbajnë peng sistemin politik dhe qeverisës. Zgjidhni me votë, atë kandidat që ju respekton dhe ju përfaqëson më shumë, atë program që merr e trajton më mirë problemet tuaja, atë parti dhe alternativë që ka më shumë energji pozitive dhe nuk ka përgjegjësi për gjendjen ku ndodhemi, atë politikë që na bashkon dhe nuk na ndan akoma më shumë me vlerat evropiane.

Unë kam besim se duke e bërë këtë analizë, qytetarët shqiptarë do të zgjedhin FRD-në, alternativën më serioze, më elitare dhe më përfaqësuese. Fitorja e alternativës së FRD në Durrës do të jetë një fitore e qytetarisë durrsake, e qytetarisë e cila ka ditur gjithmonë të bëj diferencën.

23 Qershori është një mundësi për çdo shqiptar për të vendosur nëse Shqipërinë tonë të dashur do ta kthejmë 23 vite prapa, apo do ta afrojmë më shumë me Europën. Na takon ne si qytetarë të vendosim me votën tonë. Unë besoj te alternativa për shtetin dhe qytetarët, alternativa për Shqipërinë europiane.” 

/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/