TIRANE, 19 mars 2013 – Numri dy i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” analizon situatën politike në vend dhe zgjedhjet e 23 Qershorit. Ai thekson se FRD nuk do të bëjë koalicion me asnjë forcat e vjetra politike, dhe vë në dukje se FRD me shumë mundësi do të dalë e vetme në zgjedhjet e 23 Qershorit, por ai thekson se këtë vendimin final do ta marrin strukturat e partisë. Ai flet edhe për programin politik të FRD-së, dhe çfarë synon të ndryshojë kjo parti. Në fund kritikon në mënyrë ironike edhe deklaratat Jozefina Topallit, e cila deklaroi se “z. Berisha është partia”.
Z. Oketa, ju jeni shprehur se nuk do të bëni koalicion parazgjedhor me PD dhe PS, ndërsa ka nisur të përflitet një koalicion me LSI, mos kjo bie ndesh me moralin e krijimit të FRD e cila është shprehur se s’do të bëjë aleancë me partitë e vjetra?
Është krejtësisht e vërtetë se ne kemi deklaruar se nuk do të bëjmë koalicion me partitë tashmë të konsumuara në tranzicionin e tejzgjatur shqiptar, por është po aq e vërtetë se nuk kemi përmendur asnjë lloj koalicioni tjetër. Përkundrazi vazhdimisht kemi theksuar se mundësia më e madhe është që Fryma e Re Demokratike të garojë e vetme në këto zgjedhje. Kjo për dy arsye kryesore. E para pikërisht për shkak të moralit politik mbi të cilin është krijuar kjo forcë politike, dhe së dyti për të matur realisht mbështetjen që qytetarët shqiptar do t’i japin alternativës së re e cila quhet Fryma e Re Demokratike. Çdo koment tjetër apo aludim për koalicion apo pol të tretë siç i pëlqen disave ta thërrasin, nuk ka për ideator asnjë përfaqësues të Frymës së Re Demokratike.
Për t’u ndalur tek koalicionet. A do të bëjë koalicion parazgjedhor FRD-ja me ndonjë prej forcave politike aktuale?
Unë u shpreha se më e mundshmja është që Fryma e Re Demokratike do të dalë e vetme në zgjedhjet e 23 Qershorit. Megjithatë për këtë çështje do të ketë vendimmarrje nga strukturat drejtuese të FRD dhe se çdo koalicion do të jetë vetëm me ato forca të cilat nuk kanë kosto nga keq qeverisja dhe që nuk i përkasin mazhorancës aktuale. Çdo mundësi tjetër e cila nuk bie ndesh me moralin politik dhe objektivat e Frymës së Re Demokratike është për t’u analizuar. Ne jemi një forcë e re, por dhe moderne dhe nuk i shohim koalicionet si tabu, përkundrazi ne jemi shprehur se vijmë në skenën politike shqiptare për të ofruar një politikë të moderuar. Por ne nuk jemi për koalicione matematikore ndërtuar mbi interesa të vogla dhe pa asnjë lloj morali. Fqinjët tanë italian kanë një shprehje të urtë e cila thotë: “Më mirë vetëm, sesa në shoqëri të keqe”. Ne duam t’i ofrojmë qytetarëve shqiptar një mundësi dhe një alternativë të re. I mbetet atyre të bëjnë zgjedhjen e tyre nëse do të vazhdojmë akoma tranzicionin apo do të kontribuojnë për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve dhe jo tre apo katër pushtetarëve. Ne synojmë të bëjmë një koalicion të madh me qytetarët shqiptar të cilët kërkojnë ndryshim. I takon qytetarëve të zgjedhin si cila forcë apo individ i përfaqëson më mirë.
Mendoni se zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme? Cilat janë pritshmëritë tuaja z. Oketa në lidhje me procesin e zgjedhjeve? A do të jetë vota e qytetarëve e sigurtë?
Zgjedhjet domosdoshmërish duhet të jenë të lira dhe të ndershme, nëse vërtet duam ta mbyllim përfundimisht këtë kapitull. Për fat të keq, nisur nga mënyra se si është hartuar kodi zgjedhor, mënyra se si po administrohet deri tani ky proces ka pak vend për të qenë optimist se këto zgjedhje do të jenë ato zgjedhje që një vend anëtar i NATO-s meriton të ketë. Unë jam shprehur se në gjykimin tim, një lider i cili nuk arrin të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, ka një karrierë të dështuar politike. Por këtu nuk është rasti të flitet për karrierën e një individi, këtu flitet për të ardhmen e gjithë shoqërisë shqiptare. Zgjedhjet tentojnë ti manipulojnë ato qeveritë cilat kanë abuzuar me pushtetin e tyre dhe i druhen rotacionit politik, pikërisht për shkak se i druhen drejtësisë. E vetmja mënyrë për të minimizuar përpjekjet për manipulim të zgjedhjeve është që qytetarët shqiptar të dalin pasivisht në votime. Askush të mos mendojë se ndihmojë në zgjidhjen e problemeve personale, apo dhe të shoqërisë shqiptare duke mos marrë pjesë në votime. Një votë masive për të mundësuar rotacionin politik, do eliminonte mundësinë e manipulimit, si dhe do hapte një kapitull të ri në politikën shqiptare. 23 Qershori është mundësia e vetme për t’i thënë fund tranzicionit. Fryma e Re Demokratike vjen në skenën politike pikërisht për të ofruar një alternative të re, për shtetin modern evropian dhe për qytetarët shqiptarë.
A mund ta konfirmoni sot se do të jeni kandidat i FRD në Durrës? Cila është forca reale elektorale e partisë suaj?
Unë sot nuk dua të konfirmoj asgjë. Kjo në respekt të kolegëve të mi të Frymës së Re Demokratike dhe të gjithë anëtarëve të saj. Deklarimi për cilindo prej kandidatëve tanë do të jetë zyrtar dhe sigurisht pasi të ketë marrë miratimin e të gjitha strukturave përkatëse. Respekti për kolegët e mi është më i madh se dëshira për të konfirmuar apo jo kandidimin tim.
Fryma e Re Demokratike, ka shpalosur së fundmi programin e saj elektoral. Një nga pikat ishte edhe paketa e ndryshimeve kushtetuese, të cilën FRD pritet ta bëjë publike së shpejti. Si e shikoni gjendjen aktuale të gjyqësorit, në cilat parametra synoni ta ndryshoni atë?
Një nga shtyllat e programit tonë është dhe paketa e propozimeve të cilat kërkojnë disa ndryshime kushtetuese, pikërisht në funksion të objektivit tonë për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe shtetit të qytetarëve. Pothuaj çdo herë që flitet për Kushtetutën, thuhet se ajo përbën themelet e një shteti. Aktualisht me ndryshimet kushtetuese të Prillit 2008, themelet e shtetit shqiptar janë dobësuar dhe shtrembëruar. Ato ndryshime kanë prishur të gjitha balancat ndërmjet institucioneve dhe kanë mundësuar kontrollin e gjithçkaje nga kryeministri. Nëse duam të ndërtojmë një shtet të së drejtës dhe të çdo shqiptari, ne gjykojmë se këto ndryshime janë të domosdoshme. Gjendja aktuale e gjyqësorit nuk mund të jetë e ndryshme nga ajo e çdo sektori tjetër. Ne jemi në letër një republikë parlamentare, ndërsa në praktikë jemi një republikë kryeministrore. Kemi një Kuvend i cili ka humbur krejtësisht funksionalitetin e tij dhe në kushte të tilla, gjyqësori nuk mund të jetë pa probleme. Duke rivendosur balancat institucionale me ndryshimet kushtetuese që ne propozojmë, atëherë dhe gjyqësori shqiptar do të rifitojë pavarësinë nga politika, pavarësi të cilën e ka humbur.
Cili ishte reagimi juaj – së pari si qytetar- në vendimin për 21 Janarin?
Ishte një vendim i cili vinte “logjikshëm” dhe një vendim që pritej pas gjithë atyre përpjekjeve për të kontrolluar të gjitha pushtetet nga një dorë e vetme. Një vendim i cili e ka zanafillën në Prill 2008 ku dhe opozita ka përgjegjësinë e saj për uzurpimin e çdo institucioni nga një individ i vetëm. Ishte një vendim i cili mendoj se rrënoi përfundimisht besimin e qytetarëve tek drejtësia shqiptare.
Z. Oketa, cilat janë instrumentet e përdoruara nga ju për të shtrirë besimin përtej elektoratit blu, të pavendosurit, e të majtët?
Ne kemi dalë para qytetarëve shqiptar me një projekt të ri politik, me një program i cili nuk synon të forcojë pushtetin politik të asnjërit prej nesh, por synon t’i jap zgjidhje afatgjatë problemeve kryesore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare. Ne vijmë si lëvizje politike e cila synon të organizojë frymën për ndryshim e cila ekziston tek qytetarët shqiptarë, për të ndërtuar të gjithë sëbashku një Shqipëri vërtet evropiane, jo thjesht në letër, por dhe në funksionim të institucioneve. Ne synojmë ndërtimin e shtetit të së drejtës, të një ekonomie të qëndrueshme, pa monopole apo klientelizëm, një qeverisje pa korrupsion, një shëndetësi e arsim më të mirë. Zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë, si mundësia e vetme për të hedhur hapa të qëndrueshëm në zhvillimin ekonomik të shoqërisë. Rikthimin e dinjitetit të përndjekurve dhe familjeve të tyre, pasi pa bërë këtë nuk mund të flitet për shtet të së drejtës. Fryma e Re Demokratike synon t’i jap fund tranzicionit 22 vjeçar, për të mundësuar largimin e elitave të vjetra politike, dhe zëvendësimin e tyre me të rinj e të reja shqiptare, për t’i dhënë kështu gjeneratave të reja, të talentuara dhe atdhedashëse shanset që i takojnë.
Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, ka deklaruar se FRD mund të bëjë koalicion me PD-në, por kur Berisha të mos jetë më kryetar i kësaj force politike. Ju ndani të njëjtin mendim me z. Topi?
Kam dëgjuar nënkryetaren pa mandat, të PD-së, zonjën Topalli të shprehet në një intervistë televizive, se “z. Berisha është partia”. Kisha që nga koha e Enver Hoxhës, pa e dëgjuar përsëri këtë shprehje. Kjo e vështirëson dhënien e një përgjigje të saktë, pasi nuk mund të parashikosh se çdo të ndodh me atë parti pas largimit të z. Berisha.
/TIRANA OBSERVER/