Kandidimi është tregues i vazhdimësisë dhe përforcimit të imazhit politik duke përfituar nga rrjedhjet e mundshme në PD pas rezultatit katastrofik më 23 qershor dhe problemeve që dolën për zgjedhjen e kryetarit të saj të ri në luftën midis klaneve të Sali Berishës (Lulzim Basha) dhe Sokol Olldashit, Ridvan Bodes etj. Por edhe vet FRD-ja më 23 qershor në qytetin e serenatave “inkasoi” vetëm 361 vota
TIRANË, 18 shtator 2013 – Ndonëse në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 në qytetin e serenatave FRD-ja “inkasoi” vetëm 361 vota, përkundrejt PD-së me 10 800 vota dhe PS-së me 15 573 vota, partia e ish-Presidentit të Republikës Bamir Topi ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar bashkie në Korçë. Njoftohet se FRD-ja i është kthyer aktivitetit të saj politik dhe ka mbledhur më 18 shtator 2013 kryesinë për dy arsye kryesore: përcaktimin e kalendarit të aktiviteteve në vijim të analizës së zgjedhjeve të 23 Qershorit dhe shpalljen e kandidaturës që vjen nga radhët e FRD-së për zgjedhjet e parakohshme për kryetar bashkie në Korçë. Sipas numrit 2 të kësaj force politike, politikanit durrsak Gazmend Oketa, Fryma e Re Demokratike vjen kështu skenën politike për të treguar vijimësinë e saj qoftë përmes analizës në proces, qoftë përmes vendimit për të shkuar në provën e radhës zgjedhore duke kandiduar një zonjë për kreun e bashkisë Korçë. Brikena Zeneli (shih foton) është një zonjë që vjen nga sektori privat, me angazhim në menaxhim biznesi prej më se 20 vitesh dhe pjesë e Frymës së Re Demokratike që nga fillimet e saj. FRD-ja thotë se me këtë vendim tregon edhe kursin e saj të perspektivës dhe rolin që ajo do të luajë në të ardhmen politike. Fryma e Re Demokratike do të jetë e përkushtuar që zgjedhjet për bashkinë Korçë të jenë pika e saj e konfirmimit në skenën politike shqiptare, tha Oketa. Me sa duket, FRD-ja shpreson të arrijë njw rezultat më të mirë se më 23 qershor. Kjo, qoftë nga emri i mirë i kandidates, qoftë nga rrjedhjet e mundshme në PD pas rezultatit katastrofik më 23 qershor dhe problemeve që dolën për zgjedhjen e kryetarit të saj të ri në luftën midis klaneve të Sali Berishës (Lulzim Basha) dhe Sokol Olldashit, Ridvan Bodes etj.
Info
Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, në rang qarku Korçë (rrethet Korçë, Devoll, Pogradec, Kolonjë) FRD-ja mori gjithsej 1 395 vota përballë partisë së bashkësisë çame, PDIU që mori 1 440 vota, kurse PD-ja si parti më vete 47 061 vota, kurse PS-ja PS 63 584 vota. kurse në zonën zgjedhore nr. 71 që përfshin bashkinë e Korçës, ku do të rivotohet për kryebashkiak, po më 23 qershor Fryma e Re Demokratike mori vetëm 361 vota, përkundrejt Partisë Demokratike me 10 800 vota dhe Partisë Socialiste me 15 573 vota. Kurse në zgjedhjet vendorë në bashkinë e Korçës në vitin 2011, në lista ishin regjistruar 70 170 zgjedhës; pjesëmarrja (%, numër) 45 për qind (31 279 votues). Kandidati i koalicionit të majtë Niko Peleshi mori 16 369 vota ose 53.59 për qind përkundrejt Andrea Manos, kandidatit të koalicionit të djathtë bashkë me LSI-në, që mori 14 176 vota ose 46.41 për qind të totalit, me një diferencë prej 2 193 vota ose 7.18 pikë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





