Deputeti demokrat takon të rinjtë me rastin e ditës kombëtare të rinisë
“Në radhë të parë është interesi i vendit dhe qytetit tim, pastaj vjen ai i partisë sime”,- është shprehur deputeti demokrat
Me rastin e ditës së 8 dhjetorit, ditës kombëtare të rinisë, parlamenti rinor në Durrës ka oganizuar një takim me një prej përfaqësuesve të lëvizjes studentore të vitëve ‘90, deputetin e partisë Demokratike, Gazmend Oketa. Në këtë takim është folur gjerësisht për të gjitha ngjarjet e para në këndvështrimin e të rinjve, si dhe qëndrimin e Oketës si politikan. I pyetur nga të rinjtë se çfarë qëndrimi do të mbante në lidhje me prishjen e piramidës, deputeti demokrat është shprehur se ai i mbetet besnik qëndrimit të shprehur kohë më parë. Oketa ka rikonfirmuar qëndrimin e tij për mos prishjen e Piramidës për vlerat arkitekturore që ajo ka dhe vëndin që ka zënë tashmë në kryeqytet si qendër e Rinisë. Në të njëjtën kohë Oketa nënvizoi faktin se ajo mban emrin e Pjetër Arbnorit, i njohur si Mandela i Shqipërisë. Duke iu përgjigjur interesimit të të rinjve për këtë çështje mjaft të debatuar Oketa tha,- “unë jam shprehur parimisht edhe kur kishte debat rreth prishjes së piramidës se isha kundër prishjes së saj. Kam qenë kundër për të vetmen arsye se piramida është një objekt me vlera arkitektonike është multifunksionale. Ajo është qëndra e rinisë është kthyer në pikë referimi për ta. Unë e kam shprehur edhe më parë qëndrimin tim, se jam kundër prishjes së këtij objekti. Jam arsimuar për inxhinieri dhe në këtë pikëpamje ky objekt ka vlera arkitektonike të rralla, por mbi të gjitha piramida sot është Qëndra Ndërkombëtare e Kulturës, e cila mban emrin e Pjetër Arbnorit, një prej antikomunistëve të parë shqiptarë i cili ka bërë 27 vjet në burgjet komuniste dhe pa frikë është konsideruar Nelson Mandela shqiptar. Qëndrimi im është kundër, sepse ai është një objekt i cili na kujton të kaluarën dhe të tashmen e vendit tone”.Ndërsa është pyetur nga të rinjtë durrsakë në lidhje me qëndrimin e tij në parlament, ku në disa raste vota e tij ka qenë kundër votimit në grup të forcës politike të cilës ai i përket, Oketa është përgjigjur se “për çështje me sensibilitet dhe tepër të rëndësishme për interesin publik, çdo deputet duhet të ketë individualitetin dhe personalitetin e tij. Unë jam përpjekur gjithmonë që të vendos në plan të parë interesat e kombit dhe të qytetarëve shqiptarë. Personalisht për mua është e para Shqipëria, është qyteti im dhe në fund është partia politike që unë i përkas. Në çdo moment unë gjykoj se vota ime shkon në interes të vendit dhe të qytetit tim duke bërë zgjedhjen time personale pa u ndikuar nga partia politike”,- është shprehur Oketa. Të rinjtë e parlamentit rinor të Durrësit, janë njohur edhe me librin e deputetit “Dhjetor 90”. Kur është pyetur nga të rinjtë e ndodhur në sallë në lidhje me pjesëmarrjen në grevën e urisë 21 vite më parë, Oketa është përgjigjur duke thënë se ka patur fatin që ka qenë student në atë periudhë, kur shumica e studentëve u angazhuan në atë lëvizje. “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishin shprehjet që i dëgjoje nga të gjithë është shprehur Oketa. “Do të thoja që Shqipëria e 21 viteve më pas është sigurisht pranë ëndrrës së studentëve, sepse është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Një pjesë e mirë e ëndrrës time personale është realizuar, jemi vend kandidat për në BE dhe sigurisht është gjë tjetër nëse mund të ishte bërë më shumë apo disa gjëra duhej të ishin bërë ndryshe dhe më mirë. Pritshmëritë janë tjetër gjë nga realiteti. Sigurisht që po, mund të ishin bërë më mirë. Por vendi ynë ka përjetuar një nga diktaturat më të ashpra dhe regjimi komunist i asaj kohe ishte më i egri dhe eleminoi të gjithë elitën intelektuale sapo mori pushtetin”,- është shprehur deputeti. Ai tha se duhet shumë durim dhe mirëkuptim përsa i përket realizimit të të gjitha aspiratave dhe ëndrrave tona.