Një herë në javë dhe me orar të kufizuar. Ky është rekomandimi i mjekes okuliste Silvana Tonuzi përsa i përket përdorimit të pajisjeve elektronike si smartphone apo tableta nga fëmijët e mitur.

Në 10 vitet e fundit ka ardhur gjithnjë në rritje numri i fëmijëve të vegjël që shfaqin probleme me shikimin, pasi qëndrimi për një kohë të gjatë para pajisjeve teknologjike dëmton syrin.

Përdorimi i syzeve optike është i domosdoshëm për fëmijët apo adoleshentët, që kanë probleme me shikimin, por jo gjithmonë pranohet fillimisht nga prindërit, e më pas nga të vegjlit e tyre. Kjo për shkak se syzet kthehen në objekt bullizimi dhe mbajtja e tyre shmanget.

Varësia nga teknologjia është bërë pjesë e pandarë e rutinës së përditshme, por rrezikojmë që pas 10 vitesh brezi i ri të përdorë gjerësisht syzet.

Mjekët okulistë theksojnë se prindërit duhet të ndërgjegjësohen për efektet anësore që shkaktojnë smartphonët dhe për këtë arsye duhet ta kanalizojnë rritjen e shëndetshme të fëmijës drejt aktivitetit fizik dhe lojëra në natyrë.

M.B.