ITALI – Një udhëtim mes muzikës dhe imazheve detare, të mrekullive, por edhe plagëve. Kjo është ajo çfarë do të ofrojë Olen Cesari në 25 janar, ora 20.30 për shoqatën Marevivo në Auditorium Parco della Musica, Romë.

Veç violinistit durrsak Olen Cesari në skenë do të ngjiten edhe të tjerë artistë shqiptarë të njohur si Elsa Lila, Kledi Kadiu, por edhe këngëtarë italian të dashur për publikun shqiptar si Simone Cristicchi, Massimo di Cataldo etj. Të gjithë bashkë do t’i ofrojnë publikut një udhëtim mes valëve muzikore dhe atyre vizive.

Ky koncert bamirësie i është kushtuar detit, duke dashur të lëshojë një apel për të gjithë ne, që kemi për detyrë për ta mbrojtur dhe ruajtur për brezat e ardhshëm këtë pasuri të paçmuar të njerëzimit.  

Koncerti do të moderohet nga Alessandro Cecchi Paone, ndërkohë që i ftuar nderi do të jetë gazetari dhe shkrimtari i njohur Folco Quilici.

Me pjesëmarrjen në koncert publiku do të mbështesë shoqatën Marevivo në misionin e saj. Mbrojtja e detrave, lumenjve, ruajtja e biodiversitetit, edukimi mjedisor dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë disa nga aktivitetet e shoqatës që operon në këtë fushë prej 30 vitesh.