Olen Çesari nuk është vetëm një violinist i talentuar, por një mjeshtër i vërtetë me shkathtësi stilistike. Ka një talent të rrallë, arrin të rrëmbejë mendjet dhe zemrat e atyre që e dëgjojnë dhe e shikojnë. Interpretimi i tij në violinë shkon shumë larg imazhit të një violinisti klasik. Me instrumentin e tij ka interpretuar pjesë nga Paganini, Moxart, Beethoven, Bach dhe Mendelson deri tek muzika xhaz dhe pop. Për këtë shkak dhe për ndërthurjen e magjishme që ai i bën pjesëve klasike me muzikën kontemporane është një emër mjaft i kërkuar në tregun ndërkombëtar. Talenti i tij u shfaq që kur ishte 3 vjeç dhe nisi për herë të parë të ushtrohej në violinë. Në moshën 5 vjeçare ai dha koncertin e tij të parë. Në moshën 13 vjeçare rrëmben medaljen e artë si instrumentisti më i mirë në Shqipëri. Në moshën 17 vjeçare diplomohet me rezultate te shkëlqyera në konservatorin Santa Luçia në Romë, duke u bërë kështu violinisti më i ri i diplomuar në historinë e këtij instituti. Dhe këto janë vetëm hapat e para për instrumentistin e ri durrsak. Nën drejtimin e maestros Ruggiero Ricci, të cilin e konsideron si mentorin e tij, Oleni fitoi vendin e parë në të gjitha konkurset ku mori pjesë. Në vitin 1994, kur u zhvendos në Amerikë, ai ra në kontakt me shumë rryma muzikore si xhaz, soul, rrep, kauntri të cilat do ta ndihmonin në improvizimet e tij. Në vitin 1998 pasi njihet me këngëtarin e njohur italian Lucio Dalla, bashkohet në turneun e tij botëror, ku interpretoi në skenat më prestigjioze. Në të njëjtën kohë vlejnë të përmenden performancat e tij krahas legjendarit Bob Dylan apo bashkëpunimet me Anna Oxa, Simone Cristicchi, Sergio Cammariere etj. Në nëntor të 2010 ai nxjerr në treg albumin e tij të parë “Unexpected”, ideja e të cilit siç rrëfen për “Dyrrah” i erdhi pas një koncerti në Akuila, vendin e gjunjëzuar nga tërmeti. Disku i tij është një udhëtim nëpër botë, një ndërthurje rrymash, tingujsh, që të shpërndan në të gjitha hapësirat gjeografike e në të njëjtën kohë të mban fort me atë që thyen të gjithë kufinjtë, të gjitha barrierat, muzikën e përjetshme. Projekti i tij më i afërt në Durrës është hapja e një biznesi privat ndërkohë që në fushën muzikore vrapi i tij do të ndalet në Kubë, ku synon një bashkëpunim me muzikantët e atjeshëm.

Gjatë sezonit turistik ju zhvilluat një tur nëpër Shqiperi. Pse zgjodhët pikërisht sheshet dhe jo më skenat e mbyllura?

Kisha vite që mendoja të bëja diçka për publikun e thjeshtë. Dëshiroja që ta zhvilloja këtë tur nëpër sheshe, sepse aty njerëzit e thjeshtë kanë mundësi të jetojnë spektaklin e ta shijojnë pa menduar sa kushton bileta në Teatrin e Operës apo diku tjetër. Bëra çmos të realizoja mundësinë e gjetjes së fondeve për të luajtur nëpër sheshe.

Muzika i përket të gjithë popullit dhe jo vetëm elitës. Jo të gjithë mund të vijnë në këto struktura dhe të paguajnë biletat. Për më tepër unë parapëlqej e prirem natyrshëm të lëviz nëpër të gjitha gjinitë e muzikës kështu që më pëlqente shumë të organizoja koncerte nëpër sheshet e qyteteve në Shqipëri. 

Kisha kohë që e prisja momentin që të luaja për njerëzit e thjeshtë, për të gjithë ata që nuk duhet të mendojnë për çmimin e biletës. Duhet të kesh fonde për të realizuar këto koncerte dhe në këtë rast fondet mu ofruan nga Komiteti Europian, Qendra e Informimit të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe  Ministria e Kulturës.

Ju i vetëprezantoni koncertet tuaja dhe këtë gjë e bëni me shumë lirshmëri. Ndiheni mirë kur komunikoni drejtpërsëdrejti me publikun?

Komunikimi me publikun në një farë mënyre lidh një fije të padukshme. Në momentin që vetëprezantoj publiku ndjehet i lirshëm, pa komplekse. Në momentin që vjen një prezantues dhe e bën për ty këtë prezantim nuk është e njëjta gjë.

Albumi i parë personal “Unexpected” si erdhi tek ju?

Ishte i papritur për mua, sepse ndihesha në dilemë sesi të fusja veten time në rrymat muzikore. Një mbrëmje në  Akuila,aty ku tërmeti shkatërroi gjithçka, unë shkova në shenjë solidariteti të jepja diçka nga arti. Publiku ishte shumë i akullt. Bisedoja me ta me një skaletë përpara. Në një moment e mora fletën, e grisa dhe e flaka tutje.

Me fjalët dhe muzikën time i dërgova këta njerëz të traumatizuar në një shtet tjetër. I futa në lojën time. Imagjinata e tyre u hap. Një entuziazëm i paparë përshkoi atë vend. Unë kisha të planifikuar për të luajtur në program vetëm 40 minuta atë mbrëmje. Duke parë që këta njerëz e donin këtë argëtim, luajta për ta 1orë e 30 minuta. Kur u ktheva në Romë vendosa të bëja diskun. Ky disk është një udhëtim nëpër botë.

 

Shihja përpara meje një publik prej 2 milion personash. Një lumë i tërë njerëzish. Do të luaja përpara tyre. Një emocion i brendshëm. Më dukej sikur do të rrëzohesha nga shkallët. Sapo mora në dorë violinën dhe fillova të luaja mu zhduk çdo lloj emocioni. Atë mbrëmje kam luajtur me legjendën e rokut Bob Dylan dhe me pianistin e shkëlqyer të xhazit në mbarë botën, Michel Petrucciani

Ju keni bashkëpunuar me të madhin Lucio Dalla. Si e përjetuat largimin e tij nga jeta?

Më erdhi e papritur. Kishte një javë që kishte bërë të gjitha ekzaminimet e zemrës dhe i kishin dalë në rregull. Ai nuk kishte familje të vërtetë. Familja e tij ishim vetëm ne, një grup i ngushtë miqsh prej 10 vetësh. Për mua vdekja e tij e papritur, ishte mënyra më artistike e daljes së tij nga skena.

A ndikon imagjinata juaj në frymëzimin e anës suaj artistike?

Tek unë ndikon momenti shpirtëror në të cilin gjendem, vendi ku jam dhe personat që kam pranë. Këto për mua janë faktorët bazë. Pastaj është arti dhe zanati.

Ç’mendim keni për muzikën klasike?

Muzika klasike është baza. Unë në këto momente luaj muzikë të lehtë, por nëse nuk do të merresha me muzikë klasike nuk do të mundja të luaja muzikë të lehtë. Muzika klasike në Shqipëri për momentin është e lidhur me kulturën. Besoj se këtu po të jetë një koncert gratis, mundësuar nga sponsorë të ndryshëm, njerëzit e thjeshtë do të kalonin orë duke parë dhe dëgjuar. Në momentin që t’i bën një koncert me një biletë 20 mijë lekë tek Amfiteatri, si mendon, sa persona mund ta shohin këtë koncert?

Çfarë lloji muzike ju kënaq?

Më kënaq çdo lloj muzike e bukur që dëgjoj në Youtube, xhaz, pop, orkestër simfonike etj. Të gjitha gjërat e bukura janë të bukura. Miti i bukurisë është relativ.

Cila është performanca që ju ka ngjallur emocione të paharrueshme?

Është një gjë që më ka tronditur. Në vitin 1997, shoqëroja Lucio Dalën në një turne, në frontin e Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, me rastin e "Kongresit Eukaristik në Bolonjë". Shihja përpara meje një publik prej 2 milion personash. Një lumë i tërë njerëzish. Do të luaja përpara tyre. Një emocion i brendshëm. Më dukej sikur do të rrëzohesha nga shkallët. Sapo mora në dorë violinën dhe fillova të luaja mu zhduk çdo lloj emocioni. Atë mbrëmje kam luajtur me legjendën e rokut Bob Dylan dhe me pianistin e shkëlqyer të xhazit në mbarë botën, Michel Petrucciani.

Pse ndodheni aktualisht në Durrës?

Kam ardhur të hap një lokal. Në katin e poshtëm të shtëpisë sime, dikur ndodhej një bilardo. Unë tashmë kam vendosur ta kthej atë ambjent në një lokal e ta quaj  “Qofte durrsake”. Në këto momente po merrem me arredimin e tij.

Cilat janë planet tuaja në të ardhmen?

Sapo të iki nga Shqipëria do të qëndroj në Romë, në shtëpinë time për 2-3 ditë. Më pas do të nisem në Kubë. Dua të shoh ç’bëhet atje. Kuba ka muzikantë të paparë. Dua të bëj diçka me ta. Më pëlqen të vij shpesh në Shqipëri.