Në shkollën 9-vjeçare “Vinçens Prendushi” është zhvilluar ditën e shtunë një konkurs matematike i njohur si olimpiada ndërkombëtare “Kangur” me nxënësit më të talentuar të kësaj lënde. Në Durrës, kanë marrë pjesë rreth 150 nxënës të disa niveleve. Myzafer Bekteshi, koordinator i shoqatës së matematikës për olimpiadën “Kangur”, thotë se konkursi zhvillohet për herë të parë nga pala shqiptare.
Sipas Bekteshit, veprimtari të tilla janë mjaft të rëndësishme në përmbledhjen dhe në seleksionimin e talenteve të rinj në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo olimpiadë është pjesë e një olimpiade ndërkombëtare që zhvillohet njëkohësisht në shumë vende të botës ku pjesëmarrja përfshin disa milionë matematicienë të rinj. Vitin e kaluar kanë marrë pjesë në të rreth 6 milionë nxënës nga rreth 70 vende të botës. Robert Kosova, Sekretar i shoqatës së matematikës
foli rreth vlerave universale të olimpiadës “Kangur”.
K.H.