Prej javësh në Durrës po zhvillohet kampionati zonal i moshave. Afro 60 ekipe të moshave të ndryshme duke filluar nga 8-10, e deri tek 19 vjeçarët po kërkojnë afirmimin e vlerave të tyre. Por ndër këto ekipe, njëri duket si më simpatiku, pasi është mysafiri më i ri i sofrës së madhe të futbollit të moshave. Dhe këtu një meritë të madhe ka Adrin Dedja.

Kemi shkruar edhe më parë për këtë specialist të mirfilltë futbolli. Kemi thënë për të se është një kuadër i vlefshëm i edukimit fizik në shkollën Nënë Tereza, por edhe një sipërmarrës në një fitnes nga më të frekuentuarit në Durrës. Por në fund javë, teksa zhvilloheshin ndeshjet e moshave në grupet e futbollit rajonal të Durrësit, e kemi parë Ardian Dedjen si trajner i dy ekipeve të krijuara rishtazi nga ana e tij me emrin aq sintetizues Tropikal. “Janë fëmijë shumë të talentuar dhe pasionantë pas futbollit, tregon Ardian Dedja për të përjavshmen “Dyrrah”.

Përmbi rezultatin, qëllimi ynë është ta edukojmë këtë brez me dëshirën e mirë për punën dhe sportin, për të bukurën dhe të preferuarën, për kalimin në mënyrë të larmishme dhe aktive të kohës së lirë.” Ndonëse Olimpik konkuron në moshën 10-12 vjeçare, futbollistët e Ardjan Dedjes janë më të vegjël.

Mosha e tyre mesatare është 8.5 vjeç. Por sa bukur e godasin sferën. Flitet se kanë shumë të ardhme dhe ne nuk mund të lëmë pa vendosur emrat e tyre. Jurgen Balliu, Parid Vrioni, Xhon Tusha, Rrezart Zaimi, Klevis Pupa, Laert Kondakçiu, Edi Isteri, Albi Lika, Rei Guza, Klejdi Avrami etj. Shkojnë si vëllezër njëri me tjetrin dhe mezi presin të takohen në stërvitjet e përditshme. “Kënaqem shumë kur i shikoj të gjithë së bashku,- shprehet Ardian Dedja.

Më duket sikur jemi një familje e madhe. Kanë pasione dhe janë në natyra të ndryshme, por futbollin e luajnë shumë bukur. Disa prej tyre shpresoj të bëhen futbollistë me të ardhme dhe kjo do të më gëzoj akoma më shumë”. Dhe Ardiani ka dëshirë që të vendosë emrat e Rudens Vrionit, Theofon Kazanxhiut dhe Ervin Tivarit, thjesht si njerëz që ndihmojnë ekipin duke shpenzuar për ta bazë materiale si uniformat, tutat, topat e gjithçka tjetër të nevojshme.” Olimpiku është ekipi më i ri i futbollit të moshave. Dhe si një mysafire e re, i takon ta inkurajojmë.