DURRËS, 21 korrik 2013 – Kryetari i PD-së duhet të jetë patjetër deputet për të kryer rolin e shefit të opozitës, kështu kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, është munduar të sqarojë epërsinë e tij ndaj rivalit Lulzim Basha, që është kryetar bashkie dhe jo deputet.
Jo vetëm kaq, duke qenë vetëm deputet, Olldashi pretendon se ka kohë në dispozicion për reformimin e partisë.
Në takimet me anëtarësinë e PD-së në Sukth, Rashbull dhe Kashar, Sokol Olldashi ka deklaruar mes të tjerave:
“ Unë kam avantazhin e të qenit në parlament. Debati politik atje ka arenën dhe atje duhet të zhvillohet. Ne e kemi parë këto vite, kur ne kemi qenë në pushtet se sa i pabarabartë ka qenë debati në parlament. Ju të gjithë e dini që në asnjë ditë të vetme, në asnjë seancë të vetme Sali Berishën, nuk e konkurroi kush në parlament. Sepse nuk kishte asnjë autoritet që t’i dilte përball Berishës. Tani duhet të shikojmë inversin, aty do të jetë kryeministri i atyre dhe duhet që patjetër aty të jetë kryetari i ri i opozitës. E fundit që është avantazh, është koha. Unë e kam gjithë kohën në dispozicion të reformës dhe rikonstruktimit të partisë, dhe Partia Demokratike në këto moment ka nevojë për shumë kohë, sepse ka nevojë për shumë reformime dhe rikonstruktime, të cilat duhet të ndiqen”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





