TIRANE – Një ditë pas publikimit të listës së politikanëve që nuk kanë paguar taksat e automjeteve të tyre private, ministri i Transporteve Sokol Olldashi sqaron se detyrimi i papaguar, ndryshe nga ç’është raportuar në disa gazeta, i përket vetëm një viti, pra vitit të sapombyllur 2012. 

Duke kërkuar publikisht ndjesë, për atë që e cilëson si një shkujdesje njerëzore, ministri Olldashi ka paguar sot në mëngjes në zyrën e taksave të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Prezë, detyrimin e prapambetur për vitin 2012, në vlerën 6.348 lekë. 

“Shtypi publikoi sot një listë personash që figurojnë të mos kenë paguar detyrimet e tyre fiskale për automjetet private. Në listën e bërë publike në mënyrë transparente nga një institucion i varësisë së Ministrisë së Transporteve, figuron edhe emri i Sokol Olldashit, i cili nuk ka paguar detyrimet për automjetin e tij Peugeot 307, me targë TR 0003 N, në përdorim të bashkëshortes së tij.

Ministri Olldashi kërkon publikisht ndjesë për këtë fakt i cili është thjesht një shkujdesje njerëzore që, gjithsesi, nuk duhet të kishte ndodhur. Sot në mëngjes ai ka paguar në zyrën e taksave të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Prezë detyrimin e prapambetur për vitin 2012 në vlerën 6.348 lekë. Duke kërkuar edhe një herë ndjesë për këtë pakujdesi, ministri Olldashi siguron se kjo nuk do të ndodhë më.”- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Transporteve.