KUKËS, 7 korrik 2013 – Kandidati për kreun e PD-së, Sokol Olldashi, zhvilloi të dielën në një nga sallat e pallatit të kulturës "Hasan Prishtina" të qytetit të Kukësit një takim me anëtarë të kësaj force politike ku u theksua se janë mundësitë për rikthimin e shpejtë të PD-së në pushtet.
"Është krijuar një vakum i madh pas dorëheqjes së Sali Berishës, ndaj kërkohet një ringritje e shpejtë", tha Olldashi. Sipas tij, "duhet të analizojmë çfarë na ndodhi në këto zgjedhje , ku humbëm në të gjitha qarqet veç qarkut tuaj".
Kandidati për kreun e PD-së theksoi se, "jemi pjesë e bilancit mjaft pozitiv të qeverisë Berisha, por edhe të humbjes së zgjedhjeve. "Nuk rezulton se vota kundër ishte për qeverisjen, apo Berishën, ndaj kjo humbje duhet analizuar plotësisht", tha Olldashi.
Ai u ndal në disa prej faktorëve që sollën humbjen e PD-së. Ndër faktorët kryesorë ai vlerësoi se fushata u përqëndrua kundër PS-së duke harruar LSI-në.
Olldashi vlerësoi fushatën e PD-së në qarkun e Kukësit. "Ju u treguat më të vemendshëm dhe fituat. Ndaj ju shpreh të gjitha falenderimet", tha Olldashi. Sipas tij, që të ringrihemi duhet t’i korigjojmë gabimet. Se edhe strukturat e partisë erdhën duke u dobësuar, pasi drejtuesit u angazhuan në detyra të ndryshme drejtuese shtetërore, gjë që solli edhe dobësimin e partisë në nivelin bazë.
Olldashi vlerësoi mjaft pozitiv faktin e vendosjes së sistemit "një anëtar, një votë". "Kjo mundëson që secili të mbajë përgjegjësi dhe vendosjen e një karriere brenda rradhëve të partisë", tha Olldashi.
Olldashi tha në fjalën e tij, se "kemi mundësi të jemi një opozitë e fortë në parlament, sepse opozita nuk varet nga numrat, por nga morali dhe alternativa". Në lidhje me qeverisjen e këtyre 4 viteve Olldashi pranoi se, "s’mund t’i fshihnim vjedhjet e drejtuesve të LSI-së. Dhe shumica e shqiptarëve nuk mund të pranojnë që vota e tyre të ketë vlerën e 50 mijë lekëve".
Olldashi e vlerësoi kandidatin tjetër si mik dhe vlerë e shtuar e PD-së.
Olldashi takime dhe me bazen e demokrateve ne Fier.
Sokol Olldashi, kandidat për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë nisi takimet intensive me bazën e demokratëve. Në një komunikim të drejtpërdrejtë me strukturat e Partisë Demokratike në Fier, Sokol Olldashi deklaroi se Partia Demokratike duhet të rindezë motorët partiakë për një opozitë të forte.
“Unë jam i bindur që shumica e shqiptarëve nuk do të pranojnë që proceset zgjedhore të jenë pazare si ky që pamë këtë radhë. Nuk do të pranojnë që ky vend të qeveriset, bazuar mbi teorinë e kriminalitetit politik të Edi Ramës dhe teorinë e korrupsionit të pa kufi të Ilir Metës”.
Sokol Olldashi në bashkëbisedimin me strukturat e Partisë Demokratike në Fier, u ndal edhe në analizën post zgjedhore, duke ritheksuar rëndësinë e rivitalizimin të strukturave politike në bazë.
“Unë do të eci me konceptin që e vetmja shtëpi opozitare, i vetmi vend opozitar, e vetmja opozitë është Partia Demokratike. Dhe në këtë godinë, në këtë shtëpi që është Partia Demokratike duhet të mblidhen të gjithë ata që janë të gatshëm të bëjnë opozitë”.
Olldashi foli edhe per garen brenda Partise Demokratike, duke theksuar se është një garë vlerash dhe jo rivaliteti.





