TIRANE, 07 mars 2013-Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, deklaroi sot në ceremoninë e mbylljes se projektit të binjakëzimit të financuar nga BE në mbështetje të sistemit të menaxhimit të Aviacionit Civil Shqiptar, se janë bërë shumë reforma në këtë sektor. 

"Ka patur një monitorim dhe ndihmë nga Komisioni Europian për zhvillimin dhe rritjen e sigurisë në aviacionin civil, por përmirësimi i kapaciteteve njerëzore mbetet një sfidë për Shqipërinë", tha Olldashi. 

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, u shpreh se ky projekt binjakëzimi me vlerë rreth 1 milionë euro, shërbeu për rritjen e standardeve të transportit ajror. Sipas tij, shifrat e fluturimeve në Shqipëri janë rritur ndjeshëm. "Standardet e transportit kanë ndryshuar jetën e qytetarëve. Rritja e sigurisë së këtij sektori ofron mundësi të mira ekonomike dhe ne mendojmë të vazhdojmë këtë projekt", deklaroi ai. 

Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, tha se Italia beson në rrugën europiane të Shqipërisë dhe e mbështet atë. Projekte si këto, theksoi ai, demonstrojnë impenjimin tonë në këtë drejtim. 

Italia, vijoi ai, është e gatshme për të ndihmuar Shqipërinë në këtë rrugëtim, duke ofruar ekspertizën e saj për të arritur standardet që përputhen me standardet europiane dhe të kapërcejë këtë proces tranzicioni. 

Bashkimi Europian ka dhënë 1 milionë euro për transportin ajror të Shqipërisë. Ky projekt, që nisi në nëntor të vitit 2010, i shërbeu modernizimit të aviacionit civil në Shqipëri, duke përmirësuar lëvizjen e lirë të pasagjerëve dhe mallrave, duke rritur qasjen në tregun dhe mjetet e transportit ajror, duke përfshirë aeroportet dhe duke përmirësuar standardet operacionale në përputhje me ato në BE. 

Në kuadër të procesit të integrimit, i bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhe në kuadër të zhvillimit dhe modernizimit të përgjithshëm të vendit, Shqipëria miratoi një legjislacion të ri dhe harmonizoi atë ekzistues me legjislacionin e BE-së. Përveç legjislacionit, fokusi kryesor i këtij projekti ishte fuqizimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit Shqiptar të Aviacionit Civil, ndjekja e standardeve të BE-së për mbikëqyrjen dhe sigurinë ajrore nga ana e Autoritetit dhe trajnimi i stafit të këtij Autoriteti.