Ditën e premte, shkolla e mesme “Olsi Lasko” në Shkozet, organizoi një aktivitet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Në hyrje të oborrit të kësaj shkolle të tërhiqte vëmendjen atmosfera festive e këtij aktiviteti. Vajza dhe djem nxënës të kësaj shkolle, të veshur me kostume popullore të të gjitha trevave shqiptare, të kapur dorë për dore hidhnin valle rreth e rrotull, ndërsa në sallën e mbledhjeve zhvillohej përshëndetja e 100-vjetorit të Pavarësisë nga të ftuarit dhe stafi i kësaj shkolle.
Pas kësaj përshëndetjeje të gjithë së bashku zbritën shkallët dhe u ulën për të ndjekur aktivitetin e organizuar nga mësuesja e letërsisë së kësaj shkolle Klantesa Hudhra. Ky aktivitet i zhvilluar në kuadër të ditëlindjes së 100 të atdheut, nisi me Himnin Kombëtar. Gjatë himnit, që u këndua nga të gjithë të pranishmit u lëshuan në ajër në mënyrë simbolike tre pëllumba.
Fjalën e përshëndetjes e mbajti drejtoresha e shkollës Teuta Canaj. Ajo falenderoi të pranishmit në këtë festë jubile, Prefektin e Qarkut të Durrësit z. Genc Alizotaj, anëtarët e bordit, përfaqësuesit e drejtorisë arsimore, gjithashtu dhe motrën e dëshmorit të lirisë dhe demokracisë “Olsi Lasko”, emrin e të cilit mban dhe kjo shkollë. Znj Canaj u shpreh se ky është një moment feste e gëzimi, por njëkohësisht dhe një moment reflektimi dhe angazhimi në misionin e madh të arsimit shqiptar në rritjen e cilësisë drejt standarteve europiane.
“Në këtë ditë feste kur i gjithë kombi shqiptar shpreh ndjenjat më të larta për patriotizmin dhe atdhedashurinë në respekt të flamurit shqiptar, stafi i shkollës u angazhua për të realizuar një aktivitet mbresëlënës”,- tha Cenaj. Në përfundim të fjalës së saj ajo theksoi se mesazhi i përcjellë në këtë shekull të pavarësisë më me vlera aktuale është shprehja e firmëtarit kryesor të deklaratës së Pavarësisë, Ismail Qemalit, i cili tha në ato vite: “Për të shkuar përpara në udhën e qytetërimit dhe përparimit kemi nevojë për dituri, për të fituar dituri kemi nevojë për arsim”. “Ne,- theksoi ajo,- jemi ata që këtë mesazh do ta përcjellim në breza duke ju bashkangjitur me dinjitet qytetërimit europian”.
Më pas fjalën e mbajti Prefekti i Qarkut Durrës z.Genc Alizotaj, i cili i falenderoi të gjithë ata që kontribuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Ai theksoi se me aktivitetin e zhvilluar nga kjo shkollë është vënë edhe një kurorë tjetër në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Prefekti Alizoti i dha një çertifikatë mirënjohjeje në nderim të 100- vjetorit të Pavarësisë nxënësve maturantë për kurorën e gjelbër të vendosur në mjedisin e shkollës si një ogur i parë për një mjedis të gjelbër, të pastër dhe të shëndetshëm.
Të gjithë të ftuarit u dhanë nga një fletë falenderimi të gjithë fituesve të konkursit, nxënës të kësaj shkolle, konkurs ky i zhvilluar në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Pas këtyre përshëndetjeve atmosfera festive u ndez me këngë valle dhe pjesë teatrale të grupit artistik të shkollës.