Olta Daku, një nga aktoret e sukseshme të viteve të fundit, rikthehet sërish në skenën e teatrit të Durrësit në rolin e Shirli Valentinas. Daku do të shndërrohet në personazhin e njohur anglez, një meso grua shtëpiake e cila zbulon veten dhe ato ҫfarë i kishin munguar më shumë, gjatë një vizite për pushime në Greqi.
Komedia sa klasike aq dhe moderne “Shirli Valentina” me një nga aktoret më të mira të skenës shqiptare Olta Daku, nën regjinë e Driada Dervishit, nga autori britanik Willy Russell e sjellë në shqip nga Artur Lena, rikthehet në teatrin “Aleksandër Moisiu” në datat 11, 12 dhe 13 nëntor ora 19.00!
Shitja e biletave nis të mërkurën pranë teatrit nga ora 9.00-13.00 dhe 16.00-19.00!
Komedia në skenë
Vepra e shkruar në vitet 1986 është e mbushur me fraza që kërkojnë rizgjimin e jetës së një gruaje që deri në ato momente i ishte përkushtuar shtëpisë. “Ndërkohë që klitori kishte qenë gjithmonë aty, si kontinenti i Amerikës, vetëm se nuk e kishte zbuluar njeri! Më mirë të isha martuar me Kristofor Kolombin!” është një nga frazat e kësaj pjese që vetë aktorja e veҫon.
E vënë në shumë skena të botës “Shirli Valentina” është edhe fituese e çmimit “Lorenc Oliver” si Komedia më e mirë e vitit 1988. Përmes humorit tregohet një udhëtim i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme.
Shirli Valentina, vjen nga një aktore që mishëron si humorin ashtu dhe ngrohtësinë, si vrullin ashtu dhe kurajën, si sarkazmën e po aq natyrshëm dhe autoironinë. Kjo grua angleze na tregon se nuk është vonë për të ndjekur ëndrrat.
S.L.





