DURRËS, 3 tetor 2014–  Në Shqipëri, Qeveria Rama e ka prezantuar maksimalisht para mediave më prestigjoze të botës luftën antikanabis, gjatë operacionit “Lazarati”. Kundër propagandës së Qeverisë Rama reagoi spektri politik që nga deputeti i djathtë Berisha (ish-kryeministër dhe ish-president) deri te shoku Marko Dajti Kryetari i Frontit të Majtë ( e majta ekstreme). Shoku Marko, madje kërkoi me ngulm legalizimin e kanabisit në Shqipëri duke cituar jo vetëm përvojën e mirënjohur holandeze (vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së), por edhe përvojën e disa prej shteteve amerikane.

Nga Siatëlli na vjen një histori suksesi e një biznesmeni shqiptaro-amerikan, z. Oltion Hyseni, 37 vjeç prej 16 vjetësh emigrant e më pas shtetas amerikan. Z. Hyseni nga biznesmen, që merrej me shitblerjen e pasurive të patundshme kaloi në biznesin e shitjes legale të kanabisit. Ai arriti të realizojë “ëndrrën e vet amerikane” duke hapur një dyqan për shitje të lincensuar të kanabisit. Oltioni fitoi në llotari lincensën e lëshuar nga Bordi për Kontrollin e Pijeve për të hapur dyqan (bar) për shitje të kontrolluar të kanabisit. Lokali quhet “Ocean Greens”, një aludim për ngjyrën e gjetheve të kanabisit. Ky lokal në qendër të Siatllit ka filluar mbarë. Telefoni i Hysenit nuk pushon. Telefonojnë fermerë që kultivojnë kanabis me leje. Telefonojnë konsumatorët, që pyesin për cilësinë dhe çmimet e “mallrave” të lokalit. Telefonojnë prodhues të llullave dhe pipave. Duket që është një biznes i filluar për së mbari.

Z. Hyseni është një ish-emigrant tipik, që me shumë punë e djersë ka çarë përpara në Amerikë. Ai sapo mbërriti në Amerikë nëpërmjet Llotarisë amerikane filloi të punojë si kuzhinier në një restorant me kuzhinë italiane. Mbas një viti, hapi biznesin e vet. Si ushtar profesionist amerikan kaloi dy vjet në Kosovë si pjesë e kontigjentit ushtarak amerikan në Republikën e Kosovës.Pas kthimit nga ushtria Oltioni hapi një firmë shitblerjeje pasurish të patundshme dhe së fundmi dyqan- klub për shitje kanabisi.

Oltioni premton se në rast të liberalizimit të kanabisit në Shqipëri, ai do të investojë në Tiranë për të hapur një lokal të tillë duke sjellë përvojën amerikane në Shqipëri.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/