Në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar informacion për dosjen "Shullazi" nga drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela për periudhën maj-tetor. ONM-ja i ka kërkuar llogari Donika Prelës pse u bllokua pretenca për Emiliano Shullazit.
E pyetur nga gazetarët pas seancës dëgjimore, Prela tha se "Në lidhje me çështjen në fjalë kam shprehur qëndrimin tim në dokumentacionin që i kam vënë në dispozicion vëzhguesit të ONM dhe mendoj se ka qenë shterues. Është struktura përkatëse shtetërore, në rastin konkret KLP, e cila do të verifikojë të gjithë veprimtarinë ligjore përkatëse".





