Ka mbërritur në Beograd delegacioni i Shqipërisë për takimin që do të mbahet nesër në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

Kryeministri Rama së bashku me përfaqësues të tjerë janë pritur me një ceremoni zyrtare në aeroportin e Beogradit.

“BW” raporton se disa nga përfaqësuesit e delegacionit që kryeministri Rama shoqërohet janë Ardian Cela, Odeta Barbullushi, dhe ministret Edona Bilali dhe Bora Muzhaqi.

Mësohet se pas mbërritjes ata do të takohen me përfaqësues të tjerë në një darkë informale.

Kujtojmë se në këtë takim marrin pjesë përfaqësues të 3 vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo e fundit pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga posti i kryeministrit do të përfaqësohet nga Nikola Dimitrov.

Takimit të tre liderëve në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur” do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe me përfaqësues të Këshillit Atlantik.

Pas bisedimeve do të vijojë një konferencë e përbashkët për shtyp e Ramës, Vuçiqit dhe Dimitrovit.

Paraprakisht, zëvendëskryeministri maqedonas, Dimitrov është pritur në aeroportin e Beogradit, “Nikola Tesla” nga ministrja serbe për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq.