DW: Samiti i fundit i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk solli ndonjë zhvillim të ri për 6 vendet pretendente në lidhje me anëtarësimin në BE. Si e patë Ju këtë zhvillim?

Shasha: Konsideroj se samiti ishte i një rëndësie të veçantë, pasi në këto kohëra të paparashikueshme politike globale, samiti ri-konfirmoi të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ri-konfirmoi mbështetjen e plotë të BE-së për perspektiven evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar përkushtimin për procesin e zgjerimit.

Duhet njohur me të drejtë rëndësia e faktit se liderët e 27 vendeve të bllokut më të fuqishëm politik dhe ekonomik ia dedikuan një ditë të tërë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përkatësisë së tyre në kuadër të Bashkimit Evropian. Në asnjë formë nuk guxojmë ta marrim këtë gatishmëri politike për të mirëqenë, por si mundësi të veçantë politike të cilën klasat politike në Ballkanin Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë.

Këtu duhet nënvizuar qartë se arsyeja e mos avancimit të vendeve të Ballkanit drejt BE-së, është mungesa e vullnetit politik të vendeve të rajonit për të ndërmarrë reforma serioze në fushat siç janë sundimi i ligjit, reformat ekonomike, reformat arsimore apo energjetike, dhe reforma të tjera të kërkuara në kuadër të procesit integrues. Pra me fjalë të tjera, unë e shoh përgjegjësinë kryesore për mungesën e reformave në Prishtinë, Tiranë apo Beograd, dhe jo në Paris, Bruksel apo Berlin.

DW: Në deklaratën e përbashkët nga Samiti, nuk kishte një premtim të prerë për një datë për anëtarësim të vendeve të Ballkanit. Madje u refuzua edhe viti 2030 i përmendur si datë e mundshme. Është kjo dekurajuese për Ballkanin, apo është konstatim real i BE-së?

Shasha: Në korrik të vitit të 2014, ish-Presidenti i Komisionit Evropian, z. Jean-Claude Juncker, pati deklaruar se “nuk do këtë zgjerim të mëtutjeshëm të BE-së në pesë vite të ardhshme”. Kjo deklaratë e tij shkaktoi bujë dhe diskutime të shumta në diskursin publik, përkundër faktit se ishte një konstatim i parashikueshëm, faktik dhe logjik i gjendjes së procesit të zgjerimit.

Kësisoj edhe sot bëhet një debat i pakuptimtë rreth afateve për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në asnjë formë nuk e shoh dekurajuese mospërmendjen e vitit 2030 si datë potenciale për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Pse? Sepse fare thjesht, bazuar në ecurinë e reformave në kuadër të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk ekziston asnjë mundësi reale se këto vende do të janë gati për anëtarësim deri në viti 2030. Prandaj në këtë drejtim, mendoj se debati që na bënë mirë është psh. debati për “vettingun” që do të ofroj një jetë më të mirë për qytetarët e Gjirokastrës dhe Shkodrës, apo të Dragashit dhe Mitrovicës, se sa të bëjmë bixhoz politik për afatet e anëtarësimit në BE.

DW: Hezitimi i BE-së apo, qasja shumë e ngadaltë e BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor, a mund të shihet në sfond si një lloj nxitjeje që në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit të ketë nisma siç ishte ajo e Ballkan Open, ndonëse, nuk është mbështetur nga BE-ja.

Shasha: Nisma Open Balkans nuk është nismë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është nisme e 3 vendeve të Ballkanit Perëndimor. 3 vende të tjera kanë refuzuar të jenë pjesë e iniciativës (Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi).

Duhet nënvizuar se nisma në fjalë nuk sjell asnjë vlerë të shtuar në Ballkanin Perëndimor, përveç se krijon mekanizëm paralel me Procesin e Berlinit, por duke përjashtuar aleatë perëndimor nga rajonit i Ballkanit e duke krijuar kështu hapësirë politike dhe ekonomike që dominohet nga aktorë anti-perëndimorë.

Në këtë kontekst, ka së paku katër dallime thelbësore në mes iniciativës së BE-së për “Tregun e Përbashkët Rajonal”, në kuadër të procesit të Berlinit, dhe idesë së Rama-Vuçiq-Zaev për “Mini-Shengenin/Open Balkans”. E para vendos në lidership Gjermaninë, e dyta vendos Serbinë. E para përfshin të gjitha shtetet mike të Kosovës dhe zvogëlon rolin e Serbisë, e dyta i përjashton të gjitha shtetet mike të Kosovës dhe rrit rolin e Serbisë. E para ka synim integrimin në BE, e dyta ka synim konsolidimin e ndikimit të Serbisë në Ballkan. E para ka në dispozicion 9 miliardë EURO grante, me gjenerim e 20 miliardë EURO shtesë hua, e dyta ka 0 EURO ne dispozicion.

Në këtë drejtim, konsideroj se çfarëdo kritikë që mund të kemi për BE-në duhet adresuar me maturi dhe përmes dialogut të sinqertë dhe mirëkuptues me BE-në, dhe në asnjë formë duke krijuar mekanizma paralelë që sabotojnë orientimin perëndimor të rajonit. Jam i bindur se Kosova ka vepruar drejt se para një iniciative të udhëhequr nga Vuçiqi dhe Serbia, i ka besuar iniciativës së udhëhequr nga Gjermania dhe BE-ja.

DW: Në deklaratën e Samitit u përmend dialogu Kosovë-Serbi, por, nuk u diskutua fare për liberalizimin e vizave për Kosovën, pos ndonjë deklaratë aty këtu nga pjesëmarrësit. Mendoni se çështja e liberalizimit të vizave tashmë ndonëse jo zyrtarisht,  ndërlidhet kryekëput me rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi? 

Shasha: I vetmi person që ka përmendur çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën nga ane e përfaqësueseve të BE-së, ka qenë Komisioneri për Zgjerim. Pra në një sens një nga pjesëmarrësit me peshë më të vogël politike. Ky fakt tregon se sa ultë në agjendën e vendim-marrësve të BE-së është çështja e liberalizimit të vizave me Kosovën.

Dhe këtu fajin e ka Kosova. Skena politike në Kosovë ka treguar papërgjegjësi historike kur në vitin 2016 ka refuzuar liberalizimin e vizave.  Tani viti 2021 nuk është viti 2016. Mjedisi politik i sotëm në BE është shumë më kompleks dhe sfidues sa i përket lirisë së lëvizjes së lirë. Në veçanti, rrethanat e imponuara nga pandemia COVID-19 e bëjnë çdo diskutim për lëvizjen e lirë më sfidues dhe kompleks. Pra, në kohën kur qytetarët e Gjermanisë udhëzoheshin të mos udhëtonin nga një qytet i Gjermanisë në tjetrin dhe të kufizojnë kontakte fizike, nuk është reale të presësh se tani BE-ja do heqë kufijtë për vende të treta.

Po ashtu, ju ngrini me të drejtë pyetjen, nëse procesi i liberalizimit të vizave është i ndërlidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë? Dhe këtu unë them: po, patjetër. Edhe pse dialogu nuk është pjesë e kritereve formale për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet e mira fqinjësore përbëjnë parakusht të procesit integrues të çdo vendit të Ballkanit Perëndimor. Rrjedhimisht, patjetër se vendimmarrja pozitive për çështjen e liberalizimit të vizave është e ndërlidhur me progresin në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

DW: Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Bazuar në zhvillimet e fundit dhe tensioneve që shkaktoi reciprociteti ne targa të veturave, mund të priten zhvillime pozitive në dialog, apo, shmangie dhe shtyrje të vazhdueshme sic kemi parë disa herë deri tash?

Sa i përket progresit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, unë jam skeptik optimist. Pse jam skeptik? E para, duhet kuptuar se mosmarrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë janë mosmarrëveshjet e thella me karakter historik, etnik, kulturor, politik, ekonomik, etj. Pra, psh. mosmarrëveshjet në mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë përkundër që ishin të natyrës më të lehtë, prapë iu janë dashur dy vendeve respektive 30 vite për të arritur tek marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Pra në këtë kontekst, duhet të jemi skeptik se mosmarrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhen në një afat të shkurtër kohor.

E dyta, e kam vështirë të shoh se cila do ishte incentiva e Serbisë për t’u dakorduar për një marrëveshje përfundimtare, e cila përfundimisht do mbyllte çështjen e Kosovës për Serbinë. Pra, me fjalë të tjera nuk arrij të shoh se cilat janë përfitime politike të Serbisë nga njohja e Kosovës? BE-ja nuk mund t’i ofroj anëtarësim në BE. Dhe nëse kjo ofertë nuk është në tavolinë, atëherë çfarë do të bind Serbinë që të njeh përfundimisht pavarësinë e Kosovës? Pra këtë unë nuk arrij ta shoh se çfarë mund të jetë.  Pse jam optimist? E para, për herë të parë po shohim një situatë të ngjashme politike në Beograd dhe Prishtinë, me situatën e para-Prespës në Shkup dhe Athinë. Pra, me fjalë të tjera në të dy vende janë krijuar mazhoranca politike që kanë legjitimitet politik dhe përmbushin kërkesat kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Ky është momentum i veçantë.

Tjetra, po shohim një koordinim në rritje transatlantik në mes SHBA-ve dhe BE-së. Pra, kemi parë realizimin e intervistave të përbashkëta televizive të të dërguarve të veçantë të BE-së dhe SHBA-ve. Kemi parë realizimin e vizitave të përbashkëta në Beograd dhe Prishtinë. Dhe tani se fundmi kemi parë një koordinim të afërt në mes SHBA-ve dhe BE-së në arritjen e marrëveshjes për targat, ku vetë z. Escobar udhëtoi në Bruksel për të siguruar arritjen e marrëveshjes.

Sidoqoftë, po ashtu duhet pasur parasysh se të dy vende do të kalojnë se shpejti nëpër cikle zgjedhore. Kosova së shpejti mban zgjedhjet lokale, ndërsa në pranverë të vitit tjetër Serbia mban zgjedhje parlamentare dhe presidenciale.

Në këtë kontekst, nuk duhet pasur pritje të mëdha për progres në kuadër të dialogut-së paku në plan afatshkurtër. Rrjedhimisht, unë pres që pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, të këtë lëvizje më të ndjeshme në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ne mes Kosovës dhe Serbisë. Pra nëse pres progres në kuadër të dialogu, e shoh të mundshme në pjesën e fundit të vitit tjetër dhe eventualisht vitin 2023. /DW