Opera vjen sërish në Durrës, më 8 & 9 maj, në orën 18.00.
Për dy ditë me radhë, artdashësit durrsakë do mund të ndjekin në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” operën “Flauti Magjik”, të interpretuar nga artistët e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Opera me dy akte, e kompozuar në vitin 1791 nga Wolfgang Amadeus Mozart me një libret të Emanuel Schikaneder vijon të mbetet edhe në ditët tona një nga pjesët më të mira dhe të njohura ndërkombëtarisht nga muzika klasike.
Fabula
Tamino, një student flauti, ka shumë vështirësi në mësime dhe në komunikimin me shokët e klasës si dhe me mësuesit. Por vetëm me anë të studimit të muzikës dhe të flautit të tij, ai arrin të jetë i lumtur. Në bibliotekën muzikore të shkollës, ai gjen një libër, “Flautin magjik”. Fillon të lexojë historinë dhe e zë gjumi mbi libër e ku pikërisht në këtë moment nis dhe ëndrra e tij magjike.
Të gjitha këto elemente do të jenë të përfshira në këtë vepër skenike e cila do të rrëmbejë fëmijët por dhe prindërit e tyre, duke i bërë pjesë interaktive fill pasi të kenë parë këtë përrallë të muzikuar. Ata do të qëndrojnë në teatër ku do të mund të takojnë e të flasin nga afër me artistët duke u ngjitur në skenë ku do të ndërveprojnë me solistët duke rikrijuar skenat që i pëlqyen më shumë gjatë shfaqjes.