Pasditen e sotme në qytetin e Durrësit, në zonën e Plazhit, është zhvilluar një operacion policor që ka përfunduar me arrestimin e dy personave që mbaheshin nën vëzhgim nga policia.
Zona është blinduar nga forca të shumta policie.
Informacionet e para ishin kontradiktore, pasi sipas qytetarëve ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, por policia sqaroi se ishin një operacion anti-drogë që përfundoi me 2 të arrestuar, ndërsa një polic ka qëlluar në ajër, pasi të ndaluarit kanë kundërshtuar me dhunë policinë dhe kanë tentuar te largohen.
“Policia e Durrësit ishte në operacion në lagjen nr 13 Plazh për të kapur një grup që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë.
Gjatë operacionit, dy persona me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikeve kanë kundërshtuar me dhunë policinë dhe kanë tentuar të largohen ndërkohë që një prej punonjësve të policisë ka qëlluar në ajër për t’i neutralizuar.
Policia ka prangosur dy persona, V.M., 29 vjeç dhe E.SH., 30 vjec dhe ka sekuestruar deri tani rreth një kilogramë kokainë”,– njofton policia.





